Arbëri

Vuçiqi i ankohet Macronit për “presionin në rritje” ndaj serbëve të Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i është ankuar homologut francez Emmanuel Macron për “presionin në rritje” ndaj popullit serb që jeton në Kosovë.

Vuçiqi u takua me Macronin të enjten në Bruksel, në Samitin për energji bërthamore.

Sipas Vuçiqit, serbët në Kosovë janë vënë në pozitë të vështirë pas lëvizjeve të fundit të Prishtinës.

“Një takim i përzemërt me Emmanuel Macron, me të cilin shkëmbyem mendime për një sërë çështjesh të rëndësishme, si dhe për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të partneritetit ndërmjet Serbisë dhe Francës. E informova për zhvillimin e situatës në Kosovë, si dhe për presionin në rritje ndaj popullit serb, i cili është vënë në pozitë jashtëzakonisht të vështirë pas lëvizjeve të fundit të Prishtinës”, ka shkruar Vuçiq në Instagram.

Kohëve të fundit, presidenti serb është ankuar vazhdimisht se institucionet e Kosovës ia kanë vështirësuar jetën serbëve, veçanërisht me Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), me të cilën ndalohet përdorimi i dinarit.

Për këtë çështje, Kosova dhe Serbia do të dërgojnë propozime deri të premten. Ndërsa të hënën do të takohen kryenegociatorët për t’i diskutuar propozimet.