Arbëri

Vuçiq: Për t’u hequr barrikadat duhet të formohet Asociacioni

Aleksandar Vuciq, dialogu, Vladimir Putin, Rusia

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se për t’u hequr barrikadat në veri të Kosovës, fillimisht duhet të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Kështu është shprehur ai pas vizitës së zhvilluar në Azerbajxhan, nga ku kritikoi fuqitë perëndimore, të cilat po kërkojnë heqjen e barrikadave dhe kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, transmeton media serbe "Novosti".

Ai tha të mërkurën në Baku se KFOR-i po sillet më shumë më korrekt se disa qeveri perëndimore, megjithëse pret përgjigje negative për kërkesën e Beogradit për kthimin e deri në 1000 trupave serbe në Kosovë.

“Ne po përballemi me paturpësi të madhe që vjen nga jashtë, nga disa fuqi perëndimore. Ata thonë të hiqen barrikadat dhe kthehen në institucione, por së pari duhet të formohet Asociacioni, ky është detyrimi i parë sipas marrëveshjes së Brukselit. Pres që KFOR-i të thonë se janë të aftë të kryejnë detyrat e tyre. Por sjellja e tyre është pakrahasueshëm më korrekte se shumë qeveri perëndimore. Ata sillen në përputhje me Rezolutën 1244, kompetencat e tyre, kanë të drejtë dhe obligim të na përgjigjen dhe trajtojnë seriozisht dhe në mënyrë të përgjegjshme, ndryshe nga të gjithë të tjerët”, është shprehur ai.

I pyetur nga gazetarët se në Kosovë po citohet ambasadorja gjermane që “ka shkatërruar iluzionet për dominimin e Serbisë në Ballkan”, Vuçiq tha se nuk e ka për qëllim dominimin, por bashkëpunimin.

“I përgëzoj për këtë, ne nuk kemi asnjë lloj dominimi, nuk kemi ëndërruar kurrë për dominim, por për bashkëpunim. Ne duam bashkëpunim të mirë me Gjermaninë, por ne kemi vendin tonë dhe njerëzit tanë dhe duam marrëdhëniet më të mira me Gjermaninë”, tha Vuçiq.