Arbëri

Vuçiqi kërkon themelimin e Asociacionit, u kërkon serbëve të Kosovës “të mos dorëzohen”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një postim në Instagram, ka thënë se mesazhi i tij për serbët në Kosovë është “nuk ka dhe s’do të ketë dorëzim”.

Vuçiq ka thënë se qytetarët serbë “sërish janë detyruar të mbrojnë të drejtat e tyre me barrikada”.

Ai ka bërë thirrje që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

“Nuk ka dhe nuk do të ketë dorëzim, ky është vendimi i Serbisë dhe mesazhi im për popullin tonë në Kosovë e M., i cili edhe një herë është i detyruar t’i mbrojë vatrat e veta në barrikada. Mesazhi për të gjithë tjerët është të formohet Asociacioni, të respektohen të drejtat dhe liritë e serbëve dhe të Serbisë dhe të sillen në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara dhe të drejtën ndërkombëtare. Sepse, vetëm kështu mund të fillohet normalizimi i marrëdhënieve dhe jetës së të gjithë neve. Ne vazhdojmë luftën me të gjitha mjetet e ligjshme për paqe, për një jetë më të mirë dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë. Serbia do të fitojë!” – ka shkruar Vuçiq në Instagram.