Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vuçiq: Kam një propozim për Kosovën nga dy superfuqitë evropiane që s’mund ta hedh nga dritarja

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se i ka shkuar një propozim nga Franca dhe Gjermania lidhur me Kosovën.

Danas raportoi Vuçiqin të ketë thënë se propozimi është diskutuar pasi nuk mund të anashkalohej kur një i tillë vjen nga fuqi të mëdha evropiane.

“Pozicioni ynë sa i përket Kosovës po bëhet gjithnjë e më i komplikuar sepse sot kemi në tavolinë një propozim nga Franca dhe Gjermania, të cilin na është dashur ta diskutojmë sepse nuk mund ta hedhësh nga dritarja propozimin e dy fuqive më të mëdha evropiane”, tha Vuçiq.

Thelbi i propozimit, ka thënë Vuçiqi, është që Serbia të lejojë që Kosova të bëhet anëtare e të gjitha organizatave ndërkombëtare.

Image

Vuçiq tha se Serbia megjithatë nuk do të pajtohet që Kosova të bëhet pjesë OKB-së, edhe pse parashihen përfitime si hyrja në BE si dhe përfitime financiare.

“Por, sido që të jetë, në këtë moment në konsultime me kryeministrin kemi konstatuar se nuk ka vullnet për të pranuar pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin në OKB”, tha Vuçiq, raportoi të shtunën media serbe.