Njohësit e çështjeve të Ballkanit e marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se Kosova pritet të përfitojë nga propozimi i përfolur, gjermano-francez, ndonëse rreth tij të pakta janë informatat e publikuara. Derisa në Kosovë e BE nuk kanë pranuar të shpalosin informata rreth propozimit, ambasadori amerikan ka deklaruar se ai ka mbështetjen e SHBA-së dhe se është duke u shqyrtuar nga Kosova dhe Serbia
Përmbajtja e propozimit të Gjermanisë e Francës, ekzistenca e të cilit është e konfirmuar nga iniciuesit, ka mbetur midis informatave jozyrtare. E gjitha çfarë dihet deri më tani është ajo për të cilën ka folur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Sipas tij, propozimi i bërë nga Gjermania e Franca parasheh që Serbia të lejojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, pa e njohur pavarësinë e saj derisa do të shpërblehej me përshpejtim të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare e të çështjeve të Ballkanit, konkretizimin e përfshirjes së Gjermanisë e Francës në bisedimet Kosovë-Serbi, nëpërmjet këtij propozimi, e konsiderojnë lëvizje pozitive në proces.
Sipas Florian Bieber, njohës i çështjeve të Ballkanit, propozimi gjermano-francez është i mirëpritur. Ai ka thënë se kjo nismë hap mundësinë e njohjes së plotë të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Mendoj se një nismë që synon t’i japë dinamikë të re procesit, është më shumë se e mirëseardhur. Nuk i dimë detajet e plota, por ideja e shtyrjes së njohjes së Kosovës nga Serbia, duke u munduar në të njëjtën kohë që t’i hapet rrugë anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe kemi parë lëvizje në këtë drejtim, sidomos kur është në pyetje Këshilli i Evropës, pra e tëra kjo tregon se nisma është frytdhënëse”, ka thënë Bieber.
Sipas tij, është në interes të Kosovës njohja e plotë ndërkombëtare e marrëdhëniet ndërkombëtare.
“Raportet me Serbinë janë të rëndësishme, por dytësore, pasi që normalizimi i raporteve për Kosovën më shumë kishte të bënte me hapjen e mundësisë për njohje të plotë ndërkombëtare, gjë që nënkupton procesin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, mundësinë për t’u bërë pjesë e Kombeve të Bashkuara, ashtu si edhe e NATO-s. E tërë kjo është më e rëndësishme për Kosovën, sesa njohja nga Serbia”, ka thënë ai.
Me gjithë interesin që Kosova ka për përfitimet e mundshme nga propozimi, eksperti Florian Bieber ka thënë se mbetet e paqartë nëse ai do të rezultojë i suksesshëm, duke pasur parasysh qëndrimin e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në OKB.
“Problemi do të ketë të bëjë me ndërrimin e diskursit publik nga Vuçiqi, pasi që ai nuk e ka përgatitur publikun që Serbia të jetë më pranuese rreth ekzistencës së Kosovës. Nga ai këndvështrim, jam i brengosur se ndonëse nisma duket e mirë, mund të jetë e zorshme që Serbia të bindet rreth saj”, ka thënë Bieber. Ka thënë se propozimi duhet të shfrytëzohet nga Qeveria e Kosovës “pasi që paraqet mundësi që shtetin ta vërë në lëvizje”.
Seb Bytuqi, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka thënë se mendon se propozimi do të ndikojë që ta orientojë dialogun nga faza përfundimtare. Bytyqi ka thënë se propozimi është më shumë grumbullim i ideve rreth zgjidhjeve sesa një dokument konkret.
“Nuk mendoj se kemi të bëjmë me diçka konkrete, me një zgjidhje konkrete që mund të pranohet ose refuzohet. Kemi të bëjmë më shumë me një grup të ideve ndoshta edhe të padefinuara mirë, por që shërbejnë edhe për fazën e ardhshme të dialogut dhe meqenëse Kosova ka interes që sa më shpejt të përmbyllet dialogu dhe e ka treguar këtë gatishmëri, besoj se nuk do ta kundërshtojë këtë orientim të ri të dialogut”, ka thënë ai.
Bytyqi ka thënë se me emërimin e emisarëve të Francës e Gjermanisë në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, ka qenë i pritshëm një propozim i tillë. Sipas tij, një ndër synimet e këtij propozimi është që të bëhet e ditur se dialogu duhet të përmbyllet.
“Funksioni i dytë është që të orientohet dialogu drejt gjetjes së një zgjidhjeje, pra një marrëveshjeje përfundimtare dhe aty në bazë të asaj që kemi parë, ka disa ide që janë përmendur por sigurisht se mund të dalin edhe ide të tjera”, ka thënë Bytyqi, duke shtuar se çështjet e ngritura në propozim mund të jenë subjekt i diskutimeve në takimin e radhës midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Për propozimin dhe përmbajtjen e tij kanë hezituar të japin detaje institucionet në Kosovë e ato në Bashkimin Evropian. Një ditë më parë, ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, i ka thënë “Zërit të Amerikës”, se e përkrahin propozimin franko-gjerman. Pa dhënë detaje shtesë, Hilli ka deklaruar se ai është duke u shqyrtuar nga Kosova dhe Serbia. “U takon evropianëve të flasin për këtë. Por, mund të them se evropianët duan që kjo gjë të lëvizë. Qartazi këto janë çështje të vështira, por është e rëndësishme që të dyja palët të kuptojnë se ka gjëra të tjera që po ndodhin në Evropë, për shembull në Ukrainë, dhe është koha për përparim në këtë çështje. Mendoj se edhe presidenti Vuçiq edhe kryeministri Kurti janë dakord që ta shqyrtojnë atë propozim dhe të shohim se çfarë mund të bëhet”, ka thënë Hilli të premten.
Ekzistimi i këtij propozimi është konfirmuar për herë të parë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Javën e kaluar ai kishte thënë se propozimin nuk mund ta “hedhë nga dritarja”, por njëherësh kishte theksuar se pranimi nga Serbia që Kosova të bëhet pjesë e OKB-së është i papranueshëm për shkak të Kushtetutës së Serbisë.
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qenë më i rezervuar rreth kësaj çështjeje. Të mërkurën, ai pranoi se “ka diskutime, ka opsione, ka teste e sprova”, por ka thënë se nuk mund të thotë se ka “diçka të ngurtësuar” që do ta prezantonte në “formë përfundimtare”.
Propozimi në fillim të javës është konfirmuar nga presidentja Vjosa Osmani. “Çdo iniciativë e partnerëve tanë është serioze. Iniciativa është që të intensifikohet procesi i dialogut dhe natyrisht si Franca, si Gjermania kanë qenë historikisht partnerë, aleatë dhe mbështetës të Republikës së Kosovës”, ka thënë Osmani në një deklarim të shkurtër për media.
Ekzistimi i një propozimi të tillë nga Franca e Gjermania, ku Kosova do të bëhej pjesë e OKB-së e Serbia e BE-së, është bërë publik disa ditë pasi në Kosovë e Serbi, në fillim të shtatorit, qëndruan këshilltari i kancelarit gjerman Olaf Scholz, Jens Plotner, e ai i presidentit francez, Emmanuel Macron, Emmanuel Bonne.
© KOHA Ditore
Folegjenda: Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare e të çështjeve të Ballkanit, konkretizimin e përfshirjes së Gjermanisë e Francës në bisedimet Kosovë-Serbi, nëpërmjet këtij propozimi, e konsiderojnë lëvizje pozitive në proces