Me gjithë paralajmërimin se mjetet financiare nga Plani i Rritjes do të ndaheshin deri në fund të vitit të shkuar, Kosova e shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor ende nuk kanë përfituar asgjë. Në Komisionin Evropian thonë se janë duke punuar në finalizimin e disa hapave proceduralë, derisa Kosova duhet të presë konstituimin e Kuvendit dhe të ratifikojë dy marrëveshje
Premtimi i Komisionit Evropian që vendeve të Ballkanit Perëndimor t’ua ndajë mjetet nga Plani i Rritjes para përfundimit të vitit të shkuar, nuk është realizuar.
Ndarja e tyre nuk pritet të ndodhë së paku deri në fund të pjesës së parë të këtij viti.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas një zëdhënësi të Komisionit Evropian, aktualisht është duke u punuar në përmbylljen e disa hapave proceduralë.
“Për sa i përket procesit - deri më sot, ne kemi pesë agjenda ambicioze reformash në fuqi - duke përfshirë Kosovën, dhe në këmbim, këto reforma mbështeten me investime. Për të nisur reformat, vendet mund të kërkojnë deri në 7% në parafinancim të shumës totale të parashikuar në këtë mekanizëm [nga shuma fillestare treguese e financimit të disponueshme për secilin përfitues]. Të gjithë pesë përfituesit me agjendat e miratuara e kërkuan atë. Këtu përfshihet edhe Kosova. Komisioni tani është duke finalizuar hapat proceduralë, të cilët duhet të lejojnë që lirimi i parafinancimit të bëhet sa më shpejt në vitin 2025. Pagesat e para të rregullta priten ndërmjet tremujorit të dytë dhe tremujorit të tretë 2025 me plotësimin e kushteve përkatëse”, ka thënë ky zëdhënës.
Nga Plani i Rritjes, Kosova pritet të përfitojë mbi 882 milionë euro. Por, për këtë duhet pritur konstituimin e Kuvendit me legjislaturën e re.
Sipas Klisman Kadiut, këshilltar i zv.kryeministrit Besnik Bislimi, mosprocesimi i fondeve nuk do të ketë ndonjë efekt negativ në realizimin e reformave të parapara.
“Kosova ka miratuar në Qeveri vitin e kaluar Agjendën e Reformave gjersa përmes këtij instrumenti vendi ynë do të mund të përfitojë deri në 882.6 milionë euro, në formën e huave dhe granteve, për periudhën 2024-2027. Si hap vijues është ratifikimi në Kuvend i Marrëveshjes për Instrumentin e Planit të Rritjes dhe Marrëveshja për Hua. Me konstituimin e legjislaturës së re, hapet rruga për votimin e miratimin e të njëjtave. Pas këtij miratimi, hapet rruga për lëshimin e fondeve nga Bashkimi Evropian. Nuk bëhet fjalë për pasoja apo efekte negative. Vlen të theksohet se fondet ende nuk janë lëshuar nga BE-ja për asnjë shtet në rajon”, ka thënë Kadiu.
Përveç Kosovës, nga Plani i Rritjes, i miratuar nga BE-ja në maj të vitit të shkuar, do të përfitojnë edhe vendet e rajonit si: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia.
Totali i mjeteve për Ballkanin Perëndimor kap shifrën prej 6 miliardë eurosh.
Nga kjo shumë, 2 miliardë do të jenë në formën e granteve pa kthim, ndërsa 4 miliardë kredi me kushte të favorshme.