Arbëri

Vokrri: Ndërkombëtarët nxitën vetë trazirat në veri në disa raste, Orav një nga ta

Zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, e ka akuzuar palën ndërkombëtare se ka nxitur trazirat në veri në disa situata. 

Të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, Vokrri ka thënë se një ndër diplomatët ndërkombëtarë është edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav. 

“Pala ndërkombëtare, unë kam qenë vetë dëshmitar në disa situata që i ka nxitur vetë trazirat. Nuk po them patjetër të përmasave shumë të mëdha, por me deklarimet e tyre, me takimet e tyre kanë inkurajuar eksponentë të lidhur me Listën Serbe që të bëjnë trazira... Janë diplomatë ndërkombëtarë, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, e kam përmendur edhe z.Orav, shefi i misionit të BE-së në Kosovë, si njëri nga nxitësit e një prej trazirave. Ka qenë pas atij incidenti, ku u grumbulluan një pjesë e aktivistëve politikë të veriut që njihe për sponsorizim nga shteti serb dhe e bënë një tollovi aty, pasi që përfundoi e tëra, e pashe në rrjete sociale se të njëjtit pak orë para se ta bënin këtë tollovi kanë qenë në takim me të, kjo është vetëm një prej shembujve”, ka thënë ai.

Vokrri ka shtuar se nëse është serioze për shtensionim të situatës në Kosovë, bashkësia ndërkombëtare do të duhej të ndërtonte raporte më të afërta dhe partneritet me qytetarët serbë që janë të interesuar të jetojnë jetë normale në Kosovë. 

Sa i përket shqetësimeve të shprehura nga bashkësia ndërkombëtare për aksionet e fundit të institucioneve të Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele në veri, ai ka thënë se këto shqetësime do të duhej të përcilleshin me ndonjë arsyetim apo argumentim. 

“Lidhur me shqetësimet eventuale të bashkësisë ndërkombëtare, mendoj se do të duhej të përcilleshin me ndonjë arsyetim apo argumentim, pra përderisa nuk ka as rezistencë nga qytetarët serbë, përkundrazi ka pasur përshëndetje dhe më pas aplikim dhe kërkim për të marrë shërbime nga këto institucione”, është shprehur ai.

Çitaku-Vokrrit: Përfaqëson politikë që prodhon tension e izolim

3 o. më parë / 22 maj 2025 19:21
Vlora Çitaku - PDK

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj deklaratës së zëvendësministrit në detyrë të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, i cili e akuzoi bashkësinë ndërkombëtare për nxitje të disa rasteve të trazirave në veri të vendit.

Çitaku ka thënë se Vokrri përfaqëson një politikë që prodhon tension jo zgjidhje dhe izolim jo bashkëpunim.

Ajo tutje ka thënë se deklaratat e tilla janë një prej arsyeve pse Kosova është “më e izoluar se kurrë më parë”.

“Ky zyrtar, një eksponent tipik i një qasjeje që sheh armiq të brendshëm e të jashtëm kudo, nuk përfaqëson as interesin qytetar, as vizionin për shtetndërtim. Ai përfaqëson një politikë që i shërben vetëm vetes, një politikë që prodhon tension, jo zgjidhje, izolim, jo bashkëpunim. Kur dëgjon deklarata të tilla, nuk është e vështirë të kuptosh pse Kosova sot është më e izoluar se kurrë më parë. Pikërisht për këtë arsye Kuvendi ende nuk është konstituuar. Pikërisht për këtë arsye, institucionet nuk po formohen. Dhe ndërkohë që qytetarët përballen çdo ditë me çmime të larta, pasiguri dhe mungesë perspektive, atyre u ofrohet vetëm një gjë, egërsia e fjalëve boshe dhe mburrja me ‘qëndrime të forta’”, ka shkruar ajo. 

Ajo ka shtuar se vendi nuk ka nevojë për zëra që partnerët i shohin si kundërshtarë dhe problemet si mundësi për propagandë. 

Të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, Vokrri ka thënë se një ndër diplomatët ndërkombëtarë është edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav.