Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vllasi: Qeverisë i mungon taktika përballë Serbisë

Ish-politikani Azem Vllasi ka thënë se Qeverisë së Kosovës po i mungon taktika në përballje me Serbinë, duke komentuar vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e përdorimit të dinarit nga 1 shkurti.

Vendimi i BQK-së që euroja të jetë e vetmja valutë në Kosovës ka nxitur reagime të shumta nga ndërkombëtarët, të cilët kanë kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të këtij vendimi. Pavarësisht kërkesave, Kosova nuk ka hequr dorë. Vllasi ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet t’i dëgjojë ndërkombëtarët për shtyrjen e vendimit të BQK-së, të cilin avokati e konsideron “krejtësisht me vend”. Por ka shtuar se Serbia shfrytëzon çdo mundësi për të ngritur tensione, e këtë sipas tij, nuk duhet ta lejojë pala kosovare.

“Taktikat dhe lojërat politike janë diçka tjetër. Pala kosovare duhet të mësojë pak taktika sepse në politikbërje është me rëndësi strategjia. Këta tonët s’po dinë taktikë. Serbia veç po i pret shanset me ngrit tensione në Kosovë. Para do kohe me targa, tash me dinarë. Këto lojëra duhet pala kosovare t’i kuptojë dhe të luajë pak më mirë, por kurrë në dëm të shtetësisë dhe kushtetutshmërisë”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.

Sipas Vllasit, vendimi që euro të jetë e vetmja valutë në Kosovë është dashur të merret qysh moti, prandaj siç thotë ai, tani nuk ka rëndësi nëse shtyhet edhe një muaj.

“Ky vendim, ndonëse i vonuar, është krejtësisht me vend dhe brenda sistemit kushtetues të Kosovës. Kur fillon zbatimi, a prej dje apo mundet me u shty për një muaj, ajo nuk ka rëndësi. Meqë kemi prit deri tash, s’prish punë me prit edhe pak. Rreth targave, u bën tensione, u shkaktuan shumë probleme dhe në fund u rregullua edhe çështja e targave. Miqtë ndërkombëtarë duhet t’i dëgjojmë, na kanë ndihmuar të çlirohemi. Pse shtyhet afati s’ka rëndësi. Ajo që ka rëndësi është që çdo segment institucional dhe në çdo cep të Kosovës duhet të zbatohet kushtetutshmëria dhe ligjshmëria, edhe te politikat monetare. Kjo është me rëndësi, jo afatet”, ka shtuar ai.

Vllasi ka rekomanduar që pala kosovare ta ketë parasysh që presidenti serb Aleksandar Vuçiq mund ta shfrytëzojë çështjen e dinarit për ngritje të tensioneve në veri, “qoftë edhe me protesta të vogla, 10-15 veta”.

Edhe Vendimet pa koordinim shihen si strategji e Kurtit për t’i implementuar ato, qoftë edhe me vonesë Arbëri Vendimet pa koordinim shihen si strategji e Kurtit për t’i implementuar ato, qoftë edhe me vonesë

“Por kjo mjafton që ndërkombëtarët të kritikojnë Kosovën. Prandaj, Qeveria apo BQK-ja duhet t’i ketë parasysh këto dhe të mos lejojë që disponimin e miqve ndërkombëtarë ta kthejë kundër vetes për do afate. Askush prej ndërkombëtarëve nuk tha se kjo nuk bëhet, por vetëm të shtyhet. Kjo shkon në favor të Vuçiqit pastaj”, ka deklaruar ish-politikani Vllasi.

Vllasi e ka cilësuar lajm të mirë mbylljen e strukturave ilegale në qytetet e Kosovës, por ka shprehu habinë se “çka është pritur deri tash”.

Tutje, Vllasi ka thënë se Kosova duhet të synojë marrëveshjen finale që përmban njohjen reciproke me Serbinë.