Qëndrime të kundërta kanë dhënë krerët shtetërorë në lidhje me akomodimin e kërkesave të ndërkombëtarëve për shtyrjen e zbatimit të rregullores së re të BQK-së. Derisa presidentja është shprehur për ofrimin e një afati kohor informues për qytetarët e veprim të ngjashëm me atë sikurse me targat ilegale, kryeministri Albin Kurti e kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, janë shprehur të pa lëkundur në qëndrimin që çështja e valutës nuk është e diskutueshme.
Zbatimi i rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës ka krijuar ndasi në mes të krerëve shtetërorë.
Për dallim nga kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani mbështet kërkesën e ndërkombëtarëve për shtyrjen e zbatimit të rregullores e ofrimin e një afati kohor, i cili do të shfrytëzohej për informimin e qytetarëve.
Osmani ka ngritur paralele në mes të rregullores së BQK-së e vendimit për targat ilegale. Ka thënë se për zbatimin e kushtetutshmërisë, sidomos në veri, nevojitet përkrahja e ndërkombëtarëve.
“Ky është një problem do të thosha i ngjashëm sepse edhe çështja e targave ka qenë çështje të bëjë me mbrojtjen e sovranitetit dhe kushtetutshmnërisë, por nganjëherë nga aspekti teknik deri në momentin e realizimit mund të marrë më shumë se një muaj ose dy”, ka thënë Osmani.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se me rregulloren e re të BQK-së nuk kanë për qëllim ndëshkimin e askujt.
Sipas tij, në katër komunat në veri janë katër degë të bankave e 15 institucione financiare jobankare ku mund të bëhen dërgesa e pagesat mund të merren në euro.
“Euroja është valutë e cila na vjen nga Bashkimi Evropian. Ne nuk jemi duke i thënë askujt merr valutën lekë të Shqipërisë as ndonjë valutë të re dardane të Kosovës por, euron. Euro si mjeti i vetëm i pagesës dhe shitblerjes i përcaktuar në mënyrë të qartë në RKS nuk është një çështje e negociueshme”, ka deklaruar Kurti.
E kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se është pritur mjaft.
“Qe 24 vjet këna prit,... pse me prit mo”, ka thënë Konjufca.
Qëndrimin e njëjtë me krerët në ekzekutiv ka edhe guvernatori Ahmeti Ismaili.
“Qysh me shty, çka me shty, a i bien që me shty që të thuhet që prej nesërmit mund të hyjë një automjet pa rregull, i palicencuar, kush mund ta marrë këtë përgjegjësi, a është dikush prej BQK-së që mund ta presë këtë. Kjo mund ta ketë një kohë tranzicionin, ne nuk po merremi individualisht me qytetarët serbë. Ata janë të mirëseardhur e mirëpritur t’i bashkëngjiten sistemit financiar të Kosovës”, ka deklaruar Ahmeti.
Ndonëse euroja është valuta e vetme zyrtare në Kosovë që nga viti 2002, miratimi i rregullores së re të BQK-së ka nxitur reagime të shumta duke aluduar në ndalimin e qarkullimit të dinarit serb në Kosovë.