Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vllasi: Kosova në pozitë të favorshme në dialog, s’po i kërkohet kompromis që do t’ia dëmtonte shtetësinë

Ish-politikani dhe avokati, Azem Vllasi, teksa ka folur për propozimin franko-gjerman, ka thënë se Kosova ndodhet në një pozitë të favorshme, pasi palët e përfshira nuk janë duke kërkuar asnjë kompromis nga Kosova që do ta dëmtonte shtetësinë e saj.

Në një lidhje direkte për emisionin Interaktiv në KTV, të hënë, Vllasi ka thënë se aktualisht Serbia e ka të dobësuar pozitën në Evropë për shkak të vendimit të saj për të mos iu bashkuar Evropës në sanksionet kundër Rusisë për luftën në Ukrainë.

“Është momenti më i rëndësishëm për disa arsye, e kemi iniciativën e dy shteteve më të rëndësishme të BE-së, prapa cilës qëndrojnë shefat e Francës, presidenti Macron dhe kancelari gjerman, Scholz. Sipas kësaj iniciative, duket se evropianëve po iu ngutet ta përfundojnë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë me një marrëveshje finale. Kosova është në pozitë të favorshme sepse ndërmjetësuesit apo palët e involvuara, nuk po kërkojnë kurrfarë kompromisi nga Kosova që do ta dëmtonte shtetësinë e Kosovës, strukturën e brendshme të shtetit tonë, territorin e as kufijtë. Në anën tjetër Serbia e ka të dobësuar pozitën në Evropë për shkak se nuk i është bashkuar sanksioneve të Evropës kundër Rusisë për luftën në Ukrainë”, ka thënë ai.

Sipas Vllasit, anëtarësimi më i shpejtë i Serbisë në Bashkimin Evropian nuk do ta dëmtonte Kosovën, por do t’i hapte rrugë drejt integrimit evropian.

“Problemi është se Serbia akoma nuk është e gatshme t’i pranojë ofertat me qëllim që të anëtarësohet më shpejt në BE dhe të marrë fonde të majme nga BE-ja”, ka thënë ai.

Vllasi ka thënë se Serbia për shkak të qëndrimeve të saj karshi Rusisë, ka mbetur e vetme në botën demokratike.

“Deklaratat e Vuçiqit nuk duhet marrë kurrë seriozisht. Çdo deklaratë e ka për opinionin e brendshëm, për ta ruajtur pozicionin e tij si figurë dominonte në skenën politike të Serbisë. Ai intimisht, sipas të gjitha vlerësimeve të politikës së tij, e sheh që ka mbetur i vetmuar, Serbia ka mbetur e vetmuar në botën demokratike”, ka thënë Vllasi.