Arbëri

Rifillimi i dialogut s’do të prodhojë ndonjë kthesë të madhe, thonë njohësit

Me gjithë paralajmërimet e liderëve evropianë që dialogu Kosovë–Serbi duhet të rifillojë së shpejti, pritjet për ndonjë kthesë të madhe janë minimale. Njohës të zhvillimeve theksojnë se mungesa e vullnetit politik, mospërmbushja e marrëveshjeve dhe paqartësitë brenda vetë BE-së po e mbajnë këtë proces në vendnumëro

Rifillimi i dialogut mes Kosovës e Serbisë pavarësisht thirrjeve nga liderë të Bashkimit Evropian që erdhën në margjinat e Samitit të Komunitetit Politik Evropian nuk mund të prodhojnë ndonjë kthesë të madhe, thonë njohës të zhvillimeve. 

Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka përmendur disa aspekte që duhet t’i sqarojë BE-ja para se të rinisë dialogu. 

“Dialogu mund të rifillojë, por vështirë se ai mund të prodhojë ndonjë kthesë, pasi që palët për një kohë të gjatë kanë ngecur në zbatimin e obligimeve. Para se të rifillojë dialogu, Bashkimi Evropian duhet të sqarojë për vetveten nëse është apo jo në fuqi marrëveshja që pretendohet se është arritur në Bruksel e pastaj edhe Aneksi në Ohër. Serbia disa herë ka thënë, e ka bërë këtë edhe me shkrim, se nuk e ka ndërmend ta respektojë në tërësi dhe ta zbatojë atë marrëveshje ndërkohë që në Kosovë nuk kemi as Kuvend, se lëre më qeveri të re për të marrë përgjegjësi në një proces të mirëfilltë të dialogut”, ka thënë Palokaj. 

Rinisjen e dialogut midis Kosovës e Serbisë gjatë javëve të ardhshme e ka kërkuar presidenti i Francës, Emmanuel Macron, nga Tirana, ku mbajti konferencë shtypi me kryeministrin Edi Rama. 

Ai u pyet për kritikën e presidentes Vjosa Osmani, se BE-ja po tregohet e pabalancuar me palët dhe po e penalizon atë që e zbaton rendin kushtetues.

Macron theksoi se është kaluar kohë e gjatë në dialog dhe se BE-ja ka legjitimitetin që të kërkojë avancime konkrete në çështje politike.

“Mendoj që kërkesat nuk janë humbje besueshmërie. Duhet të dalë nga kjo ballëpërballje që bllokon situatën. Uroj që javët e ardhshme të rifillojmë dialogun edhe me Prishtinën, edhe me Beogradin, ngase secili vend është përballur me vështirësi politike-sociale, që të mund të bëjmë avancimin. Kërkesat janë legjitime dhe nuk duhet të lënë të vendoset një dialog i tërthortë, pasi nuk është mënyra e duhur për të avancuar”, ka thënë Macron. Ai e theksoi edhe nevojën për vullnet politik drejt avancimit në dialog.

“Nuk është ide e mirë kurrë, kur mundohemi t’i përçajmë linjat apo të vëmë në dyshim procesin”, ka thënë presidenti Macron.

Marrëveshja e fundit Kosovë-Serbi është shtyrë edhe nga presidenti Macron dhe bazë e saj është i ashtuquajturi plani franko-gjerman. Por, dokumenti që Serbia ka refuzuar ta nënshkruajë nuk ka gjetur zbatim.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, duke iu përgjigjur gazetarëve, ka shprehur optimizëm për rezultate në dialog.

Presidentja Vjosa Osmani, e cila përfaqësoi Kosovën në samit, ka zhvilluar në Tiranë takim bilateral me Kallasin, pasi ka thënë se do të ndodhet jashtë shtetit javën e ardhshme, kur shefja e diplomacisë së BE-së ka planifikuar ta vizitojë Kosovën. Ajo ka theksuar se para se të rinisë dialogu duhet që BE-ja t’ia heqë masat Kosovës dhe tha se brengën për këtë e ka shprehur edhe në darkën e organizuar nga udhëheqësit e BE-së.

Palokaj thotë se takimet edhe mund të vazhdojnë, por jo në nivel të lartë. 

“Përpos vizitave dhe thirrjeve në dialog, pastaj edhe aty-këtu ndonjë takim të nivelit të ndryshëm në kuadër të kryenegociatorëve, për shembull, nuk shoh mundësi për ndonjë kthesë të madhe, përderisa nuk sqarohen situatat si në Serbi, ashtu edhe në Kosovë. Por Bashkimi Evropian duhet të bëjë përpjekje nëse për asgjë tjetër, për të arsyetuar postet që janë krijuar në kuadër të strukturave të Bashkimit Evropian të cilat e  kanë për detyrë të merren edhe me dialog”, ka potencuar Palokaj. 

Çështjen e dialogut e ka përmendur të shtunën edhe bashkëpunëtori i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin, Bodo Weber. Ai në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se qeveria e re në Gjermani duhet të ndërmarrë një kthesë strategjike në dialogun mes Kosovës e Serbisë.

“Pyetja është nëse Qeveria e re gjermane do të këmbëngulë në këto marrëveshje të papërmbushura, apo do të ketë guximin të nxisë një rinisje të thellë të dialogut – për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare. Kjo do të kërkonte një kthesë strategjike të politikës së BE-së ndaj Serbisë, duke mos e trajtuar regjimin e Vuçiqit si partner vlerash. Mbetet për t’u parë nëse CDU-ja dhe Merzi kanë forcën për këtë. Në të kundërt, dialogu do të thellohet edhe më shumë në krizë dhe BE-ja do të humbasë më shumë kredibilitet si aktor demokratik, në Kosovë dhe në Serbi”, ka thënë Weber.
Dialogu Kosovë-Serbi ka nisur në 2011-n, por pavarësisht marrëveshjeve deri tash ka munguar zbatimi i tyre. Serbia ka refuzuar të zbatojë pikat e marrëveshjeve të fundit që i kërkojnë asaj të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Beogradi në vazhdimësi ka lobuar kundër njohjeve dhe anëtarësimeve të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë.