Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Luan Koçbashliu – esnafi i arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore

Luan Koçbashliu

Luan Koçbashliu iu përkushtua gjatë gjithë jetës gërmimeve arkeologjike në Kalanë e Prizrenit, në lokalitete arkeologjike të tjera të rajonit. Por mbi të gjitha iu përkushtua Muzeut Arkeologjik të Prizrenit

Tiparet që i atribuohen esnafit – i drejtë, i ndershëm, fisnik – ia përshkruajnë fort mirë karakterin. Luan Koçbashliu ishte i tillë në punë e në jetë. Arkeologu i gjeneratave të para të arkeologjisë në Kosovë, ia kushtoi një jetë gërmimeve e trashëgimisë kulturore. Arkeologjia u bë pjesë e tij qysh në fëmijërinë e hershme në Nënkalanë e Prizrenit e asaj s’iu nda asnjëherë. “Prizrenin mundesh me e degradu e me e devastu. Por shpirti i Prizrenit është te njerëzit e tij”, do të thoshte ai. E, vetë ai ishte prej atyre që i japin shpirt një qyteti dhe jo vetëm

Muzeu Arkeologjik i Prizrenit dhe lokalitetet arkeologjike të atij regjioni, qenë vendet e tij të punës. Si njëri prej pjesëtarëve të gjeneratave të para të arkeologëve në Kosovën e kohës së pas Luftës së Dytë Botërore, arkeologu Luan Koçbashliu gjatë gjithë jetës punoi për trashëgiminë kulturore. 

Muzeu Arkeologjik i Prizrenit është midis kontributeve kryesore të tij bashkë me gërmimet në atë anë. Përshkruhet si esnaf i zanatit të tij. Arkeologu Luan Koçbashliu vdiq të martën mbrëma. Ai ishte 76 vjeç. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

I lindur siç thoshte ai në kërthizën e Prizrenit të vjetër, në vitit 1950, Laun Koçbashliu trashëgiminë kulturore e kishte pjesë të lojërave të fëmijërisë. Pjesa e Nënkalasë qe një prej zonave të aktiviteteve fëmijërore. 

“Duke luajt në Nënkala pashë duke u bërë gërmime. Hymë bashkë me një shok të shikonim. Më pëlqeu dhe çdo ditë shkonim me një shok. U dashurova në arkeologji”, do të rrëfente ai më 2020 për “Oral History Kosovo”. Më 1968 do t’ia mësynte Beogradit. Hamendësonte rrugës nëse do të regjistrohej në psikologji ose arkeologji. Por duke rrugëtuar me tren drejt kryeqytetit jugosllav të asaj kohe, arkeologjia i peshoi më shumë dhe nisi ta studionte. Me t’i përfunduar studimet iu kthye qytetit të tij. 

“Prizrenin mundesh me e degradu e me e devastu. Por shpirti i Prizrenit është te njerëzit e tij”, do të thoshte ai. Iu përkushtua gjatë gjithë jetës gërmimeve arkeologjike në Kalanë e Prizrenit, në lokalitete arkeologjike të tjera të rajonit. Por mbi të gjitha iu përkushtua Muzeut Arkeologjik të Prizrenit. Ka gërmuar te tumat ilire në fshatin Romajë, në Vermicë, Brezovicë e Ulpianë. Në Vermicë ishte pjesë e ekipit që ka hulumtuar para se të bëhej ajo pjesë liqen duke dokumentuar atë pjesë ku fshiheshin mbi 400 varreza të lashta. Koçbashliu u pensionua si arkeolog në Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren.

“Unë kam qenë pjesë e hulumtimeve në Kala por s’më pëlqen si është bërë. Deri diku është bërë mirë, s’mund të bëhet ideale por ka pak si shumë çimento. Turizmi është shumë i mirë por edhe bën dëm në trashëgiminë kulturore”, do të thoshte ai më 2020.

Arkeologu Kemajl Luci i cili deri në pensionim ka punuar në Muzeun Kombëtar të Kosovës e ka përshkruar kolegun Koçbashliu si njeri me virtyte të larta.

“Ka qenë esnaf i zanatit tonë. E ka prezantu kulturën e qytetit të Prizrenit në krejt raportet me kolegë, miq e bashkëpunëtorë”, ka thënë ai. Sipas tij, Koçbashliu qe një njeri i qetë e shumë i kulturuar dhe me dijeni të madhe. 

“Por atë dijeni nuk ia ka imponuar askujt. Kur e ke pyet të ka treguar. Asnjëherë nuk ka përtuar t’u shpjegojë kolegëve të rinj. U ka dhënë shumë këshilla. Qetësia e tij e tregon punën e arkeologut. Arkeologu duhet të jetë i qetë dhe i kujdesshëm e ta thotë të vërtetën. Asnjëherë nuk ka thënë të pavërteta. Ka hulumtuar dhe më pas ka dhënë sqarime”, ka thënë ai. Për vërtetësinë fliste edhe Koçbashliu. 

“Unë gjithë jetën e kam dhënë veç atë që kam pasur dijeni për të. Asgjë më shumë atë e kam pasur gjithmonë”, rrëfente ai. Sipas arkeologut Luci, Koçbashliu asnjëherë nuk është bërë nervoz.

“Asnjëherë nuk e ka ngritur zërin. Ka ditur shumë të vërë kontakte me banorët e lokaliteteve. Por më tepër ka punuar nga Prizreni. Në Kalanë e Brezovicës ka qenë pjesë e ekipit. Bashkë e kemi bërë edhe një pjesë të Hartës Arkeologjike për atë pjesë. Krejt jetën ia ka kushtuar Muzeut Arkeologjik të Prizrenit. Aty ka punuar gjatë kohës me përkushtim”, ka thënë Luci.

Drejtori i Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren, Samir Hoxha, ka thënë se largimi nga jeta i kolegut Koçbashliu është një humbje e madhe për institucionin dhe për gjithë trashëgiminë kulturore në Kosovë. 

“Kam pasur fatin ta njoh dhe të punoj me të për shumë vjet dhe mund të them se ishte një nga ata profesionistë të rrallë që e jetonin punën e tyre me përkushtim të plotë. Si koleg, Luani ishte i qetë, korrekt dhe gjithmonë i gatshëm të ndihmonte. Shpesh, në biseda të thjeshta, ai dinte të jepte këshilla me shumë vlerë, që të mbetnin gjatë në mendje. Kjo ishte një nga veçoritë që e bënte të veçantë”, ka thënë ai. Sipas Hoxhës, në aspektin profesional, ai ishte një arkeolog i terrenit në kuptimin më të mirë të fjalës. 

“Kontributi i tij në hulumtimin dhe dokumentimin e lokaliteteve arkeologjike në rajonin e Prizrenit dhe më gjerë është i jashtëzakonshëm dhe do të mbetet referencë për brezat që vijnë. Për mua dhe për të gjithë ne, ai nuk ishte vetëm koleg, por edhe një njeri me integritet, modest dhe i përkushtuar, që la gjurmë të pashlyeshme në institucionin tonë”, ka thënë ai. 

Me rastin e vdekjes së arkeologut Koçbashliu, ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, i është drejtuar familjes së të ndjerit me një telegram ngushëllimi. 

“Kontributi i tij i çmuar në institucionet e trashëgimisë kulturore, veçanërisht në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Si një ndër arkeologët e gjeneratave të para në Kosovë, puna dhe përkushtimi i tij do të mbeten frymëzim dhe shembull për brezat e rinj”, shkruhet midis të tjerash në telegram.

Trashëgimia e Luan Koçbashliut ngelet ajo e një njeriu profesionist që qe në shërbim të trashëgimisë kulturore të qytetit të tij me rrethinë. E po ashtu trashëgimi e një qytetari që mbi të gjitha tregonte edukatë të lartë. Tamam si një esnaf në punë e në jetë.