Prishtinë, 2 prill - Ministria e Punëve të Brendshme mbajti takimin e parë për Planin e Veprimit të Udhërrëfyesit rreth armëve të vogla, armëve të lehta dhe eksplozivëve, bën të ditur kjo ministri përmes një njoftimi për media..
“Ne po punojmë më tej për harmonizimin e ligjeve përkatëse dhe harmonizimin e direktivave dhe rregulloreve të BE-së, për të cilat janë mbajtur punëtori për plotësim-ndryshimin e Ligjit për armët dhe Ligjit për legalizimin dhe dorëzimin vullnetar të armëve, municioneve dhe materialeve shpërthyese”, citon njoftimi zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, z. Izmi Zeka. Sipas tij, Republika e Kosovës po zbaton me sukses një fushatë legalizimi, e cila filloi më 17 dhjetor 2018 dhe do të zgjasë deri më 17 qershor 2019.
Zëvendës-ambasadorja e Francës, znj. Carole Blestel, përgëzoi autoritetet kosovare për përkushtimin dhe dinamikën e treguar në zbatimin e Planit të Veprimit dhe bëri të ditur se Kosova është vendi i parë në rajon i cili ka adoptuar këtë Plan. Ndërsa zëvendës-ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, z. Jan-Alex Voss, tha se çështja e armëve të paligjshme është një temë serioze jo vetëm për Kosovën, por edhe për Gjermaninë, Francën dhe tërë Evropën. Ai tha se interesi i përbashkët i të gjithëve është që sa më parë këto armë të jenë të kontrolluara nga ana e autoriteteve. Ai ofroi përkrahjen e plotë të Gjermanisë në implementimin e Udhërrëfyesit dhe Planit të Veprimit.
Gjithashtu u.d. i Divizionit të çështjeve ligjore dhe sundimit të ligjit nga Zyra e BE-së, z. Hakan Ejdervik, tha se çështja e armëve ilegale është një temë shumë serioze, sepse rrezikon drejtpërdrejtë sigurinë e të gjithë qytetarëve.
“Ne përballemi me sfida të shumta por jam i bindur që së bashku mund t’i luftojmë në mënyrë që të ruajmë paqen në Evropë”-tha ai.
Edhe
U prezantua Strategjia për armë të vogla dhe të lehta
Ky Udhërrëfyes ofron zgjidhje të qëndrueshme për posedimin, keqpërdorimin dhe trafikimin e armëve të vogla dhe të lehta (AVL) dhe municionin e tyre në Ballkanin Perëndimor deri në vitin 2024, të miratua në Samitin e Londrës më 10 korrik 2018.
Udhërrëfyesi zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet relevante të rajonit nën kujdesin e Republikës Federale të Gjermanisë dhe përkrahjen teknike të SEESAC/UNDP dhe në koordinim me Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Komisionin Evropian. Ndërsa Plani i Veprimit për zbatimin e Udhërrëfyesit u miratua gjithashtu nga Qeveria e Republikës së Kosovës në dhjetor 2018.