Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vazhdohet edhe për tre muaj afati për legalizim të armëve

Foto: Koha

Është vazhduar edhe për tre muaj afati për legalizimin e armëve në Kosovë.

Ministria e Punëve të Brendshme do të vazhdojë këtë kampanjë deri më 17 shtator të këtij viti.

Në një konferencë për media, koordinatori Nacional i Strategjisë për Kontrollin e Armëve të Vogla të Lehta dhe të Eksplozivëve, Izmi Zeka, ka thënë se qëllimi i vendimit ishte të inkurajohen qytetarët që të shfrytëzojnë mundësinë e legalizimit të armëve.

“Republika e Kosovës është në rrugën e saj drejt procesit të integrimit evropian dhe ne kemi nevojë që bashkërisht të jemi më aktiv në fushën e zvogëlimit të armëve të pa ligjshme në vendin tonë, t’i legalizojmë ato dhe të krijojmë një siguri cilësore për qytetarët tanë”, ka thënë ai.

U.D. e Përfaqësueses së Përhershme e UNDP-së në Kosovë, Maria Suokko theksoi se posedimi i armëve të vogla në rajon dhe botë po e vë në rrezik sigurinë publike, zhvillimin ekonomik dhe po merr jetë.

“Kosova është vend i sigurt me një shoqëri të sigurt dhe se mund të jetë model dhe pikë referente për të gjithë rajonin”, ka deklaruar Suokko.

Edhe 1 mijë e 800 persona aplikuan për legalizimin e armëve pa leje Arbëri 1 mijë e 800 persona aplikuan për legalizimin e armëve pa leje

Ndërsa Drejtori i Divizionit për Siguri Publike në Policinë e Kosovës, Gazmend Hoxha tha se procesi për legalizimin e armëve ndikon në uljen e vrasjeve që është vepra më e rëndë penale. Ai theksoi se janë konfiskuar armë edhe pse ky trend kohëve të fundit ka rënë.

Në kampanjën e parë për legalizimin e armëve ka pasur rreth 1428 kërkesa për legalizim, rreth 682 pëlqime të lëshuara dhe 7 kërkesa për de-aktivizim. Policia e Kosovës në baza vjetore konfiskon rreth 1300 armë respektivisht në vitin 2016 ka konfiskuar 1292 armë, në vitin 2017 ka konfiskuar 1211 armë ndërsa në vitin 2018 ka konfiskuar 1473 apo gjithsej 6176 konfiskime dhe legalizime.