Arbëri

Nga 200 mijë armë ilegale në Kosovë, deri më tani janë legalizuar vetëm 800

Më shumë se 200 mijë armë pa leje janë në duar të qytetarëve të vendit.

Ndonëse Ministria e Punëve të Brendshme ka nisur proces të legalizimit të tyre, pak qytetarë kanë shprehur interesim për një gjë të tillë, raporton KTV.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, duke e parë si shqetësuese këtë gjendje, ka treguar se vitin e kaluar, 20 raste të vrasjeve që kanë ndodhur kanë qenë me armë pa leje.

Përfaqësuesja e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, Alessandra Roccasalvo, tha se legalizimi i armëve bëhet për një Kosovë të sigurt.

Drejtori i Divizionit për Siguri Publike në Policinë e Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se sfidë për zyrtarët policorë në luftimin e trafikimit të armëve është mosanëtarësimi në Interpol dhe Europol.

Zyrtarë të policisë thonë se ata për çdo vit konfiskojnë rreth 1,300 armë pa leje.

Ndërkaq, në raportin 24-orësh të Policisë, thuhet se në nivel vendi, vetëm në 24 orët e fundit janë konfiskuar 4 armë.