Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vizitorët kërkojnë nga Komuna e Podujevës pastrimin e parkut nga drunjtë e rrëzuar

Komunarët e Podujevës janë kritikuar nga vizitorët për mospastrimin e Parkut të paqes “Manchaster” nga drunjtë e rrëzuar. Ata kanë thënë se janë bërë afro katër muaj prej se janë rrëzuar shumë drunj në këtë park, por që deri tash askush nuk i ka hequr nga aty. Shtatëdhjetëvjeçari Tahir Potoku, ka shprehur vullnetin që edhe vetë të marrë pjesë në pastrimin e këtij parku nëse do ta ftonte dikush.

“Me pas kush, është dashtë jo veç këta drunj që janë rrëzuar, po edhe ata tjerët që janë tharë është dashtë me i heq edhe me e pastru parkun. Këta drunj kanë mundur t’ia japin ndonjë fukaraje ose edhe shkollave, në vend se me i ble. Me pas qenë mali im nuk e kisha lënë kështu. Po na i vret sytë qysh ka mbetur kështu. 70 vjet i kam, po me më pas thirr, kisha me dalë me punu këtu edhe mos me lanë kështu parkun se nuk është në rregull”, ka thënë ai.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Edhe vizitori i rregullt i këtij parku, Sadik Zhjeqi, thotë se moslargimi e drunjve të rrëzuar po ndikon edhe në rritjen e drunjve tjerë.

“Kjo po ndodh veç për shkak të mosinteresimit të askujt. Prej që i ka rrëzuar bora e era qe gati 4 muaj, askush nuk i ka heq. Një kohë nuk kemi mundur as të ecim prej drunjve që janë rrëzuar. Pastaj i prenë veç sa me e liru rrugën. Tmerr është me i pa. Tash ka filluar edhe gjelbërimi edhe moslargimi i këtyre drunjve e pengon edhe gjelbërimin edhe rritjen e drunjve tjerë”.

Zyrtarët komunalë thonë se kanë iniciuar procedurat e prokurimit për shitjen e këtyre drunjve, por që herën e parë nuk ka pasur të interesuar. Zëdhënësi Fatri Zhitia, thotë se tash Drejtoria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i ka përsëritur këto procedura për shitjen e masës drusore.

“Drunjtë e rrëzuar te Parku i qytetit (parku te pishat) janë rrëzuar si pasojë e reshjeve dhe vërshimeve që kanë ndodhur gjatë muajit janar. Po ashtu edhe gjatë muajit mars moti i lig ka ndikuar në rrëzimin e drunjve në këtë park. Drejtoria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural sipas rregulloreve dhe ligjeve në fuqi ka iniciuar procedurën në prokurim për shitjen e masës drusore të rrëzuar në Parkun te pishat, mirëpo fatkeqësisht nuk ka pasur ofertues apo të interesuar për blerjen e asaj mase drusore”, ka theksuar Fatri Zhitia. “Drejtoria e DBPZHR e ka përsëritur tenderimin për shitjen e asaj mase drusore dhe po shpresojmë që do të ketë palë të interesuara. Pra në momentin e paraqitjes së ndonjë oferte në ankandin e shpallur në Zyrën e Prokurimit ajo masë do të shitet dhe të pastrohet hapësira në park”.

{gallery}