Arbëri

Vetëvendosje e kujton Deharin, Kurti thotë se ndaj tij u krye krim nga arrestimi e deri te vdekja

Në katërvjetorin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, kjo parti e ka kujtuar jetën e tij duke ndezur qirinj nëpër ballkone të shtëpive. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kërkuar edhe një herë zbardhjen e rrethanave të vdekjes së Deharit.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, para katër vjetëve u gjet i pajetë në qelinë e paraburgimit në Prizren. Nga autopsia vendore u tha se Dehari u vetëvra, por për shkak të dyshimeve familja kërkoi një ekspertizë nga Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore të Zvicrës. Nga hetimet e kryera nga ky institut u tha se aktivisti nuk ka bërë vetëvrasje, teksa ndodhej në Qendrën e paraburgimit në Prizren. Dehari ishte arrestuar nën dyshimin për sulm ndaj Kuvendit.

“Astrit Dehari ishte i paraburgosur, pa aktakuzë, pa gjykim, pa dënim dhe për 68 ditë në burg nuk u mor fare në pyetje. Megjithëkëto, në qelinë A-3 të burgut të Prizrenit, e mbytën. Mbi Astritin është kryer krim prej ditës kur është arrestuar e deri atëherë kur e vranë, këtu e katër vjet më parë. Kryepolici i rajonit të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, i pari pati thënë që Astriti ka vdekur nga doza e tepërt e medikamenteve. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, pat konstatuar se Astriti është vetëvrarë ende pa u bërë e pa u kryer hetimet. Por, për 11 lloje të drogave janë zhvilluar teste dhe në asnjërën prej tyre Astriti nuk ka dalur pozitiv. Atë ditë, pra më 5 nëntor 2016, Astriti ngelet mbi katër minuta e gjysmë në qeli pasi që e gjejnë të shtrirë aty. Për katër minuta njeriu vdes katër herë! Raporti i Autopsisë së ekspertëve të mjekësisë ligjore Besim Ymaj dhe Besim Latifaj si dhe Raporti i Institutit Zviceran nga Lozana, përjashtojnë si mundësi vetëvrasjen e Astritit. Nga përcaktimi i lëndimeve si shenja vetëmbrojtjeje, te mungesa e ndihmës së shpejtë adekuate e deri te Naser Makolli, i cili thuhet t’ia ketë dhënë ndihmën e parë Astritit mirëpo u gjet po ashtu i vdekur në burg pesë muaj më vonë, ky rast ka përplot fakte të rënda por edhe të panjohura indikative”, ka shkruar Kurti në Facebook.

“Teksa presim që ky krim të ndriçohet, Astriti na ndriçon me jetën dhe punën e tij, kurse sonte, për shpirtin e tij dhe kujtimin tonë, ndezim nga një qiri në dritaret a ballkonet tona”, ka përfunduar ai.