Pas reshjeve të pandërprera në disa zona në Kosovë kanë ndodhur vërshime.
Situata është përkeqësuar në disa komuna, përfshirë, Skenderajn, Drenasin, Pejën, Klinën, Mitrovicën e Podujevën.
Në këto komuna janë vërshuar zona të banimit, toka bujqësore e rrugë.
Komuna e Skenderajt tanimë ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.
Raportohet për vërshime edhe në komunën e Zveçanit e veriut të Mitrovicës, pasi Ibri ka dalë nga shtrati.
“Kosovo Online” ka raportuar se mbi 50 shtëpi janë vërshuar në Zveçan. E po ashtu raportohet për shtëpi të vërshuara në "Lagjen e Boshnajkëve".
Komandanti i stacionit të zjarrfikësve në Zveçan, Vladan Radomiroviq, tha se nuk mbahen mend vërshime të tilla.
‘Situata është më e vështira në 50 vjetët e fundit. Kemi probleme me përmbytje të mëdha dhe niveli i Ibrit po rritet pothuajse në të gjitha pikat. Gjithçka është në rrezik. Më shumë se 50 shtëpi janë përmbytur, aktualisht më e keqja është në Grabovc, ku ka ndodhur një rrëshqitje e madhe e cila ka shkulur edhe shtyllat, për fat të mirë ato nuk kanë rënë nëpër shtëpi”, ka thënë Radomiroviq.
Raportohet edhe për bllokim të rrugës që shpie nga veriu i Mitrovicës dhe Zveçani për në Zubin Potok, shkaku i rrëshqitjes së dheut.
Me reshjet që janë duke vazhduar, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka paralajmëruar vërshime edhe gjatë ditëve në vijim.
“Situata e vështirësuar hidrometeorologjike, pritet që të vazhdoj dhe gjatë ditëve në vijim, prandaj edhe nivelet dhe prurjet e lumenjve, pritet të ngriten dhe të shkaktojnë vërshime/përmbytje”, njoftoj instituti të enjten.
Nga Komuna e Istogut i thanë KOHËS se gjendja është e rënduar tej mase.
“Situata është e rënduar në Istog të Poshtëm, Shushicë, Bellopojë, Kovragë, Tomoc, Gurrakov, Veriq, Lluga, Prigodë, Kërrninë, Muzhevinë, Drejë, Zabllaq, Saradran, Dobrushë, Bajic, e në shumë fshatra të tjerë”, deklaroi Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Istog, Abedin Kabashi.
Aktualisht, sipas Kabashit, situata është më e rëndë se në vërshimet e 20 nëntorit.