Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vendimi nuk respektohet: Rekord në çmimin e naftës, 1 euro e 99 centë për litër

nafta derivate benzin

Foto: Driton Paçarada

Operatorët ekonomikë nuk kanë respektuar çmimet tavan për litër nafte dhe benzine, të vendosura nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Në Prishtinë, një litër naftë është shitur të shtunën deri në 1 euro e 99 centë. Tejkalime janë evidentuar edhe në rajonin e Pejës e të Mitrovicës. Ministrja Mimoza Kusari Lila ka paralajmëruar masa.

Çmimi i karburanteve në Kosovë ka shënuar rekord të shtunën.

Një ditë më parë, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila, ka firmosur vendimin me të cilin është caktuar masa mbrojtëse për produktet e naftës. Bazuar në të, gjatë ditës një litër naftë ka mundur të shitet deri në 1 euro e 91 centë, ndërkaq një litër benzinë deri në 1 euro e 44 centë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Disa prej operatorëve ekonomikë kanë fshehur çmimet, duke i larguar ato nga ekranet publike.

E të tjerë hapur nuk i janë bindur vendimit.

Edhe ministrja Kusari Lila ka thënë se gjatë ditës është shkelur vendimi gjithandej Kosovës.

Ajo ka raportuar disa të dhëna, në bazë të të cilave në rajonin e Prishtinës, atë të Pejës e edhe në të Mitrovicës litri i naftës është shitur deri në 1 euro e 94 centë.

Por, në Prishtinë është regjistruar gjatë ditës edhe çmimi prej 1 euro e 99 centë për një litër naftë.

Bizneset që kanë shpërfillur vendimin, do të gjobiten, ka paralajmëruar ministrja Kusari Lila në një përgjigje për KOHËN.

“Të gjitha shkeljet e vendimit janë duke u evidentuar dhe tashmë Inspektorati i Mbikëqyrjes së Tregut dhe Administrata Tatimore e Kosovës në bashkërendim janë në terren për të shqiptuar gjobat”, ka shkruar Kusari-Lila.

Bazuar në vendimin e Ministrisë, fitimi më i madh për litër karburanti është deri në 2 centë në shitjen me shumicë, ndërsa deri në 12 centë në shitjet me pakicë.

Ministrja Kusari Lila u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që ta respektojnë këtë vendim dhe ka theksuar se çdo shkelje do të trajtohet me masa ndëshkuese, duke përfshirë edhe ndëshkime retroaktive nga Inspektorati i Tregut dhe Administrata Tatimore e Kosovës.

Rritjet e çmimeve të derivateve filluan pak ditë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën një operacion ushtarak në Iran, dhe Teherani u përgjigj me sulme në Izrael dhe vende të tjera aleate të SHBA-së në rajon. Efektet globale kanë prekur ndjeshëm edhe ekonominë e Kosovës, duke nxit një valë kërkesash për përshtatje të politikave qeveritare ndaj efekteve në mirëqenien e qytetarëve. Të premten LDK-ja në seancë të jashtëzakonshme futi në rend të ditës në Kuvend kërkesën për uljen e akcizës dhe TVSH-së për derivatet. Miratimi i saj dështoi për mungesë kuorumi, meqë pas pauzës, deputetët e Vetëvendosjes nuk u kthyen në sallë. Ata insistuan se masa e propozuar nga LDK-ja nuk do të kishte ndikim te konsumatori. Kryeministri Albin Kurti ka theksuar se për të përballuar rritjen e çmimeve, Qeveria është duke përgatitur Pakon e Inflacionit 2.0 në vlerë prej 200 milionë eurosh