Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vendimet gjyqësore ia “djegin” Podujevës 51 mijë euro

Vendimet gjyqësore ia kanë harxhuar Komunës së Podujevës më shumë se 51 mijë euro për gjashtë muajt e parë të këtij viti.

Në raportin financiar janar-qershor shihet se për këtë çështje janë prezantuar dy pagesa, ku në njërën figurojnë 41.809 euro dhe në tjetrin 9678 euro, e që bashkë bëjnë 51.487 euro, shkruan sot Koha Ditore. Shumë pak më e vogël është “djegur” nga automjetet zyrtare për këta muaj.

Siç thuhet në raport, vetëm karburant për vetura, zyrtarët e kësaj komune i kanë shpenzuar 23.165.61 euro, për regjistrimin e këtyre automjeteve 3195 euro, sigurimi 2.561.78 dhe mirëmbajtja dhe riparimi i automjeteve 7.757.94 euro, që në total janë 36.680 euro.

Sipas të njëjtit dokument, komunarët e Podujevës kanë harxhuar edhe 3600 euro për udhëtime. Siç shihet në raport, 277 euro janë për shpenzimet e udhëtimit jashtë vendit, 1.273.20 euro për mëditje për udhëtim jashtë vendit, 1.157.58 euro avancë për udhëtime zyrtare dhe 900 euro akomodimi.

Zyrtarët komunalë nuk i kanë lënë keq as drekat zyrtare, ku për këta gjashtë muaj i kanë harxhuar 1706 euro. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)