Komuna e Podujevës është detyruar të paguajë mbi gjysmë milioni euro pagesa për shkak të vendimeve gjyqësore. Gati gjysma e tyre janë shpenzime të interesit. Zyrtarët komunalë kanë thënë se në këto pagesa nuk hyn asnjë faturë e ekzekutivit të Podujevës, por ato derivojnë nga Kontrata Kolektive e nënshkruar nga qeveritë paraprake. Ndërkaq, në shoqërinë civile kanë thënë se pagesa është pasojë e papërgjegjësisë së qeverisë lokale
Më shumë se gjysmë milioni euro është shuma që Komuna e Podujevës është detyruar të paguajë për shkak të vendimeve, gjyqësore gjatë vitit 2021. Gati gjysma e këtyre mjeteve janë shpenzime të interesit.
Të dhënat për këtë janë theksuar edhe në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin e kaluar, në të cilin thuhet se në bazë të Ligjit për menaxhimin e financave publike, çdo faturë e vlefshme duhet të paguhet brenda 30 ditëve kalendarike. Në të kundërtën, pas urdhrit të prerë nga gjykata, pagesat ekzekutohen nga Thesari.
“Shuma e pagesave direkte nga Thesari, në bazë të vendimeve gjyqësore/përmbarimore ishte 554.016 euro. Prej tyre 217.787 euro ishin shpenzime të interesit dhe procedurave të gjykatës/përmbarimit. Këto mjete janë shpenzuar nga: Kategoria e pagave dhe mëditjeve në vlerë 529.986 euro, për pagën e shujtave dhe transportit në arsim dhe pagesën e pagave jubilare; dhe
Kategoria e mallrave dhe shërbimeve në vlerë 24.030 euro”, thuhet në raportin vjetor të Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Podujevës.
Auditori ka tërhequr vërejtjen se pagesat e realizuara përmes vendimeve gjyqësore, vështirësojnë realizimin e buxhetit sipas planifikimeve, respektivisht implementimin e projekteve dhe po ashtu krijojnë kosto shtesë në emër të shpenzimeve gjyqësore dhe interesit.
Por, zyrtarët komunalë kanë thënë se opinioni i Auditorit për Podujevën është pozitiv dhe se këtë vlerësim e kanë marrë pak komuna sivjet.
“Komuna e Podujevës për vitin 2021 e ka një raport pozitiv të Auditorit gjeneral të Kosovës, për dallim nga viti 2020 i cili ka qenë një raport negativ i Zyrës së Auditorit. Të gjeturat e Auditorit janë kryesisht të gjetura teknike, të cilat janë paraqitur në raportin e Auditorit gjeneral dhe për këto kemi krijuar një plan të veprimit, të cilat gjatë vitit 2022 të mos jenë as këto të gjetura të zyrës së Auditorit”, ka theksuar drejtori për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani.
Osmani ka folur edhe për buxhetin që i është marrë komunës, nëpërmjet përmbaruesve.
“Sa u takon shpenzimeve përmbarimore përmes vendimeve gjyqësore, Komuna e Podujevës nuk e ka asnjë faturë të shpenzuar nga vendimet gjyqësore. Të gjitha kontratat që i ka lidhur janë ekzekutuar përmes sistemit të pagesave nga ana e Komunës së Podujevës. Ekzekutimi i kësaj shume buxhetore është nga vendimet gjyqësore të cilat janë shkaktuar nga lidhja e Kontratës Kolektive nga qeveritë e kaluara dhe Komuna e Podujevës dhe asnjë komunë tjetër nuk ka mjete buxhetore që ta mbulojë këtë Kontratë Kolektive dhe kryesisht mësimdhënësit dhe mjekët i kanë orientuar këto mjete përmes vendimeve gjyqësore”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Shemsi Jashari, drejtor ekzekutiv i Rrjetit të organizatave joqeveritare “Demokracia Fillon Këtu”, e ka quajtur mungesë përgjegjësie dhe mungesë vullneti politik mospagesën e këtyre obligimeve ligjore që dalin nga Kontrata Kolektive.
“Gjetjet e Auditorit për Komunën e Podujevës për vonesat në pagesa të obligimeve që ka në raport me kontratat, tregon për një mungesë përgjegjësie dhe mungesë vullneti politik për të realizuar një obligim ligjor. Sipas raportit, Komunës së Podujevës nga shuma prej 554.016 euro sa janë paguar përmes përmbaruesit, i janë shkaktuar 217.787 euro dëm financiar si shpenzime të interesit, vetëm për shkakun se janë vonuar në pagesa. Kjo flet për një mungesë përvoje profesionale nga Drejtoria e Financave pasi ligjet duhen zbatuar edhe kur zyrtarëve përgjegjës nuk u pëlqejnë marrëveshjet e arritura para se ata të vinin në pozita”, ka thënë Jashari.
Ndërkohë, drejtori Fatlum Osmani, ka thënë se e kanë formuar një plan veprimi që gjetjet që figurojnë në raportin e publikuar sivjet të mos figurojnë në atë që do të vije. Megjithatë, sa u përket mjeteve për Kontratën Kolektive, ai ka thënë se nëse për vitin 2023 nuk parashihen në Qarkoren buxhetore të Ministrisë së Financave, Komuna e Podujevës nuk ka mundësi t’i ekzekutojë këto detyrime as në të ardhmen.