Ish-nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu, ka bërë thirrje për reformim të menjëhershëm të degës së partisë në Podujevë.
Ai ka thënë se kjo degë ndodhet në krizë të thellë politike dhe organizative. “Partia nuk i përket një individi, apo një grupi të vogël. LDK është e anëtarëve dhe votuesve të saj. Nëse nuk ndryshojmë tani, humbjet vetëm do të vazhdojnë”, ka shkruar Veliu në një status në rrjetin social Facebook.
Veliu për humbjet e LDK-së në Podujevë e ka fajësuar kryetarin e degës Ekrem Hyseni.
“Pesë humbje rresht janë pasojë direkte e një kryetari të komanduar që ka humbur besimin e anëtarësisë, pa marrë asnjëherë përgjegjësi. Për më shumë se 30 vjet Dega jonë ka qenë shembull i organizimit dhe fitoreve, ndërsa për mbi 20 vjet qytetarët ma kanë besuar pesë herë drejtimin e Komunës. Kjo tregon se partia di të fitojë kur respektohen parimet, demokracia e brendshme dhe baza e saj”, ka shkruar Veliu në Facebook.
Ai ka thënë se pas largimit të tij dhe marrjes së kompetencave të kryesisë, siç ka theksuar, me një vendim kundërstatutor dhe të padrejtë, “degës i janë imponuar vendime të mbyllura, përjashtuese dhe pa legjitimitet”.
“Rezultati është i qartë: humbje, demotivim dhe largim i anëtarësisë. Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare, dega e LDK-së në Podujevë nuk është e përfaqësuar me deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Prandaj, sot bëj thirrje të hapur dhe publike për ndryshime të menjëhershme në degën e LDK-së në Podujevë”, ka shkruar Veliu.
Ai ka thënë se në këtë situatë janë të domosdoshme disa veprime.
“Marrje përgjegjësie politike për dështimet e njëpasnjëshme. Hapje e degës ndaj anëtarësisë, jo drejtim i mbyllur dhe i kapur nga interesa personale. Zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente, pa imponime dhe pa lista të parapërgatitura. Rikthim i unitetit, meritokracisë dhe respektit për kontributin e secilit. Kjo është thirrje për shpëtim politik të LDK-së”, ka shkruar ai.