Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Veliaj edhe një mandat në krye të Tiranës

Erion Veliaj

Erion Veliaj është konfirmuar edhe për një mandat në krye të bashkisë së Tiranës.

Veliaj ka marrë 54.69 për qind të votave në zgjedhjet lokale në Shqipëri të mbajtura të dielën. Belind Këlliçi i “Bashkë Fitojmë” doli i dyti me 34.58 për qind të votave.

Këlliçi ka dalë me një deklaratë për media, duke treguar “arsyet e humbjes së tij”.

Ai ka thënë se ishte gara më e pabarabartë në 30 vjetët e fundit.

“Rezultati i zgjedhjeve të 14 majit, për fat të keq nuk pasqyron realitetin dhe nuk është shprehje e vullnetit të lirë të qytetarëve. Ky rezultat është ndikuar nga një makineri shantazhi dhe dhune ndaj administratës publike, biznesit dhe qytetarëve. Asetet publike janë vënë në dispozicion e janë shfrytëzuar në maksimum për të dhënë këtë rezultat të sotëm”, ka thënë Këlliçi, raporton “Top Channel”.

Partia Socialiste në Shqipëri ka fituar shumicën e bashkive. Ka marrë 51 bashki aktualisht, ndërsa shtatë i ka fituar “Bashkë Fitojmë” e partia MEGA ka fituar në Finiq. Po ashtu Partia Socialiste e ka fitoren thuajse të sigurtë edhe në Malësinë e Madhe, e kandidati i saj po kryeson edhe në Kukës.