Arbëri

Erion Veliaj shkarkohet nga pozita e kryebashkiakut të Tiranës

Erion Veliaj

Këshilli Bashkiak i Tiranës të martën ka votuar me shumicë votash propozimin për shkarkimin nga detyra e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Partia Socialiste dhe ajo Demokratike kanë bashkuar votat duke rënë dakord për largimin nga detyra të Veliajt.

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se do të ketë zgjedhje të parakohshme në Tiranë. Ai ka propozuar Ogerta Manastirliun si kandidate të PS-së.

Figurë e rëndësishme e Partisë Socialiste në pushtet, Veliaj u arrestua nga SPAK-u në shkurt të këtij viti. Ai akuzohet për korrupsion që përfshin të paktën 1.1 milionë euro fonde publike, të cilat pretendohet se u janë dhënë bizneseve e të cilat në këmbim i jepnin familjes së tij fitime të paligjshme.

Veliaj – që ishte në mandatin e tretë si kryetar bashkie - dyshohet se ka krijuar një skemë korruptive mes disa kompanive në pronësi të bashkëshortes së tij dhe gjashtë biznesmenëve të lidhur me të.

Ai i ka mohuar të gjitha akuzat.