Arbëri

Vdiq politologu Belul Beqaj

Foto: Driton Paqarada / Koha

Analisti politik, Belul Beqaj, ka vdekur të dielën e 25 shtatorit.

Njoftimin për vdekjen e tij e dha vajza e politologut tashmë të ndjerë, Adea Beqaj.

Ajo përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se Beqaj do të varroset të dielën në varrezat e qytetit në Arbëri.

“Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se më i dashuri ynë Belul Beqaj ndërroi jetë sot më 25 shtator 2022. Varrimi i të ndjerit do të bëhet sot më 25.09.2022 në ora 13:00, në varrezat e qytetit, Prishtinë (Arbëri)”, ka shkruar ajo.

 

Belul Beqaj lindi në Prizren në vitin 1957, ku mbaroi shkollën fillore dhe të mesme.

Ka diplomuar në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Beogradit dhe studimet master i përfundoi në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, ndërsa studimet për doktoratë i kreu në Shkencat Politike në Universitetin e Kirilos dhe Metodijës në Shkup.

Ai ishte autor i më shumë se njëqind artikujve publikë dhe shkencorë.


Fetahu: Kontributi i Beqajt për sportin është historik

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, e ka vlerësuar lartë kontributin e Belul Beqajt, politologu që vdiq të dielën.

Në telegram ngushëllimin për familjen e tij, Fetahu ka thënë se Beqaj ka dhënë një kontribut historik për sportin e Kosovës si para, ashtu edhe pas luftës.

Beqaj ka qenë kryetar i Federatës së Basketbollit të Kosovës kohë më parë.

“Sot në mëngjes jemi zgjuar të shokuar kur kemi dëgjuar lajmin tronditës se ka ndërruar jetë, i nderuari dhe i respektuari, Belul Beqaj. Vdekja e tij ka tronditur gjithë komunitetin e basketbollit. Ai do të kujtohet jo vetëm si ish kryetar i Federatës së Basketbollit të Kosovës, por edhe një person që ka hyrë në histori për tu mos harruar asnjëherë. Kontributi i tij për sportin më të dashur ishte para dhe pasluftës. Në kohë të vështira dhe me shumë sfida. Veprat e tij kanë hyrë në histori. Ndihma e tij që ka dhënë në basketbollin e Kosovës nuk do të harrohet asnjëherë”, thuhet në telegramin ngushëllues të Fetahut.

Pas vdekjes së Beqajt ka reaguar edhe analisti politik, Demush Shasha, njëherësh drejtor ekzekutiv i Institutit EPIK.

“Doajen i fundit i arsyes. U prehsh në paqe e të ndrittë shpirti xhek. Ngushëllim me të thella familjes dhe miqve”, ka shkruar ai në Facebook.