Arbëri

Vdiq ish-kryetarja e PSD-së dhe ish-deputetja Kaqusha Jashari

Kaqusha JAshari

Foto: Driton Paçarada

Jashari ishte një nga figurat e njohura të skenës politike të Kosovës, themeluese dhe ish-kryetare e Partisë Socialdemokrate të Kosovës, si dhe ish-deputete e Kuvendit të Kosovës. Ajo u cilësua nga figura politike si një grua që sfidoi kohën dhe rrethanat, duke kontribuar në zhvillimet politike të vendit

Gruaja që kundërshtoi publikisht Sllobodan Millosheviqin dhe regjimin e tij në Kosovë, Kaqusha Jashari, ka vdekur mëngjesin e së martës në moshën 79-vjeçare.

Ajo ishte njëra nga figurat më të njohura të skenës politike të Kosovës, themeluese dhe ish-kryetare e Partisë Socialdemokrate të Kosovës, si dhe ish-deputete e Kuvendit të Kosovës.

Gjatë periudhës 1975–1988, Jashari mbajti funksione të rëndësishme në institucionet krahinore të Kosovës, përfshirë edhe postin e kryetares së Bashkimit të Sindikatave të Kosovës në vitin 1986, dhe më pas u bë kryetare e Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës.

Pasi u përfshi në përplasjet politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ajo u largua nga pozita partiake dhe deri në vitin 1990 shërbeu si drejtoreshë e Autoritetit Rrugor të Kosovës.

Në vitet ‘90, ajo vazhdoi angazhimin në politikë përmes Partisë Socialdemokrate të Kosovës, të cilën e drejtoi nga viti 1998 deri në vitin 2008. 

Në legjislaturën e dytë të Kuvendit të Kosovës (2006–2010) shërbeu si deputete.

Presidentja Vjosa Osmani derisa ka shprehur ngushëllime për familjen, miqtë, e bashkëpunëtorët për vdekjen e Jasharit, ka thënë se ajo ishte një prej figurave më të njohura të historisë politike të Kosovës moderne. 

“Ajo dha kontribut të pandërprerë në periudha vendimtare për vendin. Jeta dhe vepra e znj. Jashari përfaqësojnë përkushtimin ndaj vendit, si zë i fuqishëm në kohë të vështira politike, si themeluese dhe udhëheqëse e një partie politike, si deputete e zgjedhur nga populli, por edhe si krijuese në sferën e artit”, ka thënë Osmani.

E kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se Jashari ishte një nga zërat e parë që guxoi të mbrojë të drejtat e shqiptarëve brenda sistemit të vështirë politik të kohës.

“Me dhembje mora lajmin për ndarjen nga jeta të Kaqusha Jasharit – themeluese e Partisë Socialdemokrate, ish-deputete e Kuvendit të Kosovës dhe, para së gjithash, një figurë e rezistencës politike shqiptare në Kosovë. Ajo ishte e pranishme në momentet më vendimtare të historisë sonë - si aktiviste, si politikane dhe si nënshkruese e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Krasniqi.
Kaqusha Jashari lindi në Prishtinë, ndërsa shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Kamenicë e Gjilan.

Studimet universitare në Fakultetin e Ndërtimtarisë i nisi në Beograd dhe i përfundoi në Prishtinë. 
Karrierën e saj profesionale e nisi në ndërmarrjen ndërtimore “Ndërtimi” në Ferizaj, ku punoi deri më 1975.