Komuna e Mitrovicës ka njoftuar për vdekjen e akademikut Minir Dushit, duke thënë se ishte inxhinieri i parë shqiptar dhe një figurë e shquar në fushën e mineraleve.
Komuna ka shkruar të hënën të Facebook se Dushi ishte themelues i shkollës së lartë teknike në Mitrovicës dhe drejtor në Trepçë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të akademikut Minir Dushi, inxhinierit të parë shqiptar dhe një figure të shquar në fushën e mineraleve. Dushi ishte një personalitet i njohur dhe i nderuar, themelues i shkollës së lartë teknike në Mitrovicë, drejtor në Trepçë dhe inxhinieri i parë shqiptar, i cili la një trashëgimi të vyer në zhvillimin e industrisë dhe shkencës”, thuhet në njoftim.
Komuna do të mbajë homazhe të martën në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”.
“Në këto momente të dhimbshme, ne shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën dhe punuan me të. Kontributi i tij do të mbetet i paharruar dhe frymëzues për brezat që do të vijnë. Komuna e Mitrovicës, nesër do të mbajë homazhe në Qendrën e Kulturës ‘Rexhep Mitrovica’, nga ora 12:00 deri 14:00, për nder të jetës dhe veprës së tij. Pusho në paqe, akademik Minir Dushi”, ka shkruar Komuna e Mitrovicës.
Dushi ka lindur në Gjakovë në vitin 1929. Ai qenë anëtar i ASHAK-ut që nga themelimi i këtij institucioni në 1975-n.
Dushi ishte zgjedhur profesor i rregullt në Fakultetin Teknik në vitin 1969, ndërsa në 1975-n si profesor në Fakultetin Xehtaro-Metalurgjik në Mitrovicë, ku kishte ushtruar detyrën e dekanit për dy mandate.
“Me themelimin e Universitetit të Prishtinës (1970) u zgjodh zëvendësrektor i parë, kurse në vitin 1981 u bë rektor i këtij universiteti (1981-1983). Anëtar korrespondent i ASHAK-ut u zgjodh që nga themelimi i Akademisë në vitin 1975, kurse në vitin 1978 u zgjodh anëtar i rregullt. Në vitin 1986 u bë anëtar i Kryesisë së KSA të Kosovës. Opusi shkencor i akademik Minir Dushit arrin mbi 180 njësi bibliografike. Nga fusha e xehetarisë ka botuar 8 vepra e afro 70 punime shkencore dhe profesionale. Ka të botuara 18 libra shkencorë, nga të cilët 4 tekste universitare, si dhe 14 vepra të tjera të veçanta të botuara nga ASHAK-u dhe Universiteti i Prishtinës. Akademik Minir Dushi është nderuar me një sërë çmimesh, dekoratash dhe mirënjohjesh. Ishte veteran i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe ishte shpallur edhe veteran i arsimit të Kosovës”, ka njoftuar Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Akademia njoftoi se në orën 10:00 do të mbajë mbledhje komemorative, e më pas do të ketë homazhe.
“Të nesërmen, më datë 29 janar (e mërkurë) në orën 10:00, në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës do të mbahet mbledhje komemorative dhe më pas, po në mjediset e Akademisë, do të mbahen homazhe, deri në orën 11:30. Në orën 11:30 kortezhi niset për në Gjakovë. Në Gjakovë, në Shtëpinë e Kulturës ‘Asim Vokshi’, nga ora 14:00-15:00 do të mbahet mbledhje komemorative. Varrimi i të ndjerit do të bëhet në Varrezat e Qytetit të Gjakovës në orën 16:00, ndërsa para varrimit, po në Varrezat e Qytetit, nga ora 15:00-16:00 do të bëhen homazhe”, thuhet në komunikatë.