Arbëri

Vazhdon “lufta” me statuse mes Ramës e Muratit, akuzojnë njëri-tjetrin se po tallen me qytetarët

Hekuran Murati dhe Perparim Rama

Ka vazhduar “lufta” me statuse në Facebook mes kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama dhe ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati.

Murati gjatë ditës përmes një postimi ka thënë se i është drejtuar Chatgpt-së për ta pyetur për postimet e djeshme të tij e pastaj edhe të Ramës, e që sipas tij, ky i fundit e ka nxjerrë të drejtë punën e Muratit.

Ka reaguar Rama duke i thënë se ai po bën humor me qytetarët.

“Hekuran, bravo! Qytetarët po i vuajnë pasojat, ndërsa ti bën humor me ta”, ka shkruar Rama në Facebook.

Murati i është përgjigjur sërish duke i thënë se “nëse dikush po bën humor e po tallet me votuesit, jeni ju që keni qeverisur me Prishtinën e që fajin tuaj të mos-miratimit të buxhetit komunal sipas afateve ligjore, tentoni t’ia hidhni Qeverise ndërsa vetë viktimizoheni”,

“Përparim, ti gënjeve që Qeveria ta ka blloku buxhetin, unë të demantova me fakte e argumente. MFPT ua ka alokuar buxhetin sipas ndarjeve të vitit 2024, ashtu siç e parasheh ligji kur komuna nuk arrin ta miratojë buxhetin me kohë. Për ta alokuar buxhetin sipas ndarjeve të vitit 2025, siç ta kam thënë tash e disa herë, duhet ndryshim/plotësimi i ligjit të buxhetit në Kuvend. Nëse do zgjidhje, e ke shumë të lehtë - fol me deputetët e partisë tënde në Kuvend që ta zhbllokojnë Kuvendin, e kjo pastaj hap udhë për ndryshim plotësim të ligjit të buxhetit”, ka shkruar ai.

Rama ka shkruar dje në Facebook se Qeveria po ua bllokon qëllimisht buxhetin për hakmarrje politike.