Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vasfije Krasniqi caktohet e dërguar e posaçme presidenciale për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës

Presidentja Vjosa Osmani e ka caktuar Vasfije Krasniqin të dërguar të posaçme presidenciale për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.

“Ajo i ka dhënë zë dhimbjes së mijëra grave të përdhunuara gjatë luftës në Kosovë. Në rolin e saj të ri, ajo do të vazhdojë kërkimin për drejtësi dhe do të përforcojë zërat e të mbijetuarve përreth botës”, ka shkruar Osmani në platformën X.

Krasniqi, e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit e ka cilësuar detyrë me përgjegjësi të madhe këtë, duke thënë se do të përpiqet të jetë zëri i atyre që ndër vite nuk e kanë shprehur dhimbjen dhe traumën e tyre.

“Kjo detyrë me kaq nder dhe përgjegjësi për mua, do të jetë një tjetër hap për të përfaqësuar zërin e mijëra viktimave të Kosovës dhe të tjerave, pre e dhunimit si armë lufte në konfliktet e ndryshme. Përderisa dhuna seksuale në luftë po ballafaqohet me kulturën e mohimit dhe mosndëshkimit, të mbijetuarit vazhdojnë ta jetojnë luftën që si fushëbetejë pati edhe trupat e tyre. Atë që ua mori jetën pa i vrarë. Si përfaqësuese e Kosovës, ndjej falënderim dhe përgjegjësi të dyfishtë për këtë rol, në avokim dhe veprim, për këtë çështje, për të rritur ndërgjegjësimin për parandalimin dhe veprimin për drejtësi. Do të përpiqem të jem edhe zëri i atyre që ndër vite vdiqën në errësirën e dhimbjes dhe traumës së tyre”, ka shkruar ajo në Facebook.