Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi, deklaroi se shpreson që marrëveshja e arritur mes Kosovës e Serbisë për dokumentet, të jetë hap drejt përparimit në dialog.
Ai shkroi në Twitter të dielën se e mirëpret marrëveshjen, duke shtuar se lëvizja reale drejt dialogut mes dy vendeve të bëhet bazuar në marrëveshjet e arritura dhe zbatimit të ndërsjellë.
“E mirëpres marrëveshjen për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Serbisë dhe sinqerisht shpresoj që kjo të shënojë një epokë të përparimit real në dialog, bazuar në marrëveshjet dhe zbatimin e ndërsjellë”, tha ai.
Serbia është pajtuar t’i njohë dokumentet e identifikimit të shtetasve të Republikës së Kosovës. Njoftimin e ka bërë të ditur përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, të shtunën pasdite.
“Sipas dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Serbia ra dakord t’i shfuqizojë dokumentet hyrëse/dalëse për mbajtësit e ID-së së Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i paraqesë ato për mbajtësit serbë të ID-së”, ka shkruar Borrell në llogarinë e tij në Tëitter, të shtunën pasdite.
Ai është shprehur i lumtur për atë që e ka quajtur zgjidhje evropiane që lehtëson udhëtimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa ka falënderuar liderët e dy vendeve.
-
Varhelyi: BE-ja përmes planit për Ballkanin synon zbatimin e ujdive Kosovë-Serbi
-
Varhelyi mirëpret marrëveshjen për liberalizim të vizave për Kosovën
-
Varhelyi mirëpret marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë për targat
-
Varhelyi: Serbia ka bërë lëshime në dialog, te Kosova ka pasur lëvizje të njëanshme
-
Micheli përshëndet arritjen e marrëveshjes për dokumente