Arbëri

Valbon Krasniqi zyrtarisht drejtor i SHSKUK-së

Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës ka emëruar drejtor të përgjithshëm të SHSKUK-së, Valbon Krasniqin.

Krasniqi fillimisht ishte hequr nga gara për shkak të mungesës së përvojës menaxheriale, por pas ankesës ishte rikthyer.

Ai ka ushtruar detyrën e drejtorit të SHSKUK-së që nga largimi i Basri Sejdiut vitin e shkuar.

Procesi i zgjedhjes së drejtorit të ri është përcjellë me disa polemika. KOHA kishte raportuar se pjesë e anëtarëve të komisionit për përzgjedhjen ishin figura të lidhura me LDK-në.

Diellor Rizaj, këshilltar i ministrit Armend Zemaj, e Vjollca Kadolli – Halili, pjesë e LDK-së, ishin në komisionin për përzgjedhjen e drejtorit. Pjesë e këtij komisioni ishte edhe Haki Smajli, por ata u zëvendësuan pas raportimit me Agreta Gecaj - Gashi, Ardian Mehmetaj e Naim Hoxha.

Në vendimin për ndryshimin e komisionit si arsyetim ishte përmendur edhe rritja e transparencës dhe shmangia e konfliktit të interesit.

Për ta drejtuar institucionin më të rëndësishëm spitalor në vend pretendues ishin figura që janë të lidhura me politikën.

Garës për drejtor të këtij institucioni i ishin futur: Saudin Maliqi, pjesë e LDK-së, Gani Halilaj, pjesë e PDK-së, Driton Ukmata, ish-këshilltar i ish-drejtorit Basri Sejdiu, i zgjedhur në kohën kur ministër ishte Uran Ismaili, Valbon Krasniqi, pjesë po ashtu e LDK-së, Basri Lenjani, pjesë e AAK-së, dhe kandidatja e gjashtë është Gloria Staka.

SHSKUK-ja ka buxhet vjetor rreth 120 milionë euro. Dy drejtorët e mëhershëm të këtij institucioni nuk i kanë përfunduar mandatet. Basri Sejdiu është shkarkuar disa muaj më herët, e Curr Gjocaj ishte dorëhequr në vitin 2017.