Arbëri

Vajzë, foshnja e parë e vitit 2023

Foshnja e parë e lindur në vitin 2023 është vajzë.

Mjeku në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Naser Rafuna ka konfirmuar lajmin, duke thënë se nëna dhe foshnja janë mirë me shëndet.

Nëna e parë e 2023-s është nga Drenasi.

“Para pak minutash lindi foshnja e parë në klinikën tonë, e gjinisë femër. Pacientja është Elona Rrustemi nga Drenasi. Ka lindjen e dytë. Ka lindur një fëmijë të shëndoshë nëpër rrugë natyrore të lindjes. Gjendja e nënës dhe fëmijës është shumë e mirë”, ka thënë ai për KosovaPress.

Në vitin 2022 në këtë klinikë janë kryer mbi 8800 lindje.

“Deri më ditën e sotme kane qenë 8808 lindje, kjo është e 8809-ta lindje”, ka thënë Rafuna.

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vizituan foshnjën e parë të vitit 2023, Dua Rrustemi.

"Katër minuta pas mesnate lindi Dua Rrustemi, foshnja e parë në Klinikën Gjinekologjike të QKUK-së në vitin 2023. Bashkë me nënën e saj Elonën janë shëndosh e mirë. Uruam edhe babain Arbënorin dhe falenderuam mjekët e infermieret që po punojnë me shumë përkushtim në këtë ndërrim motmotesh", ka shkruar kryeministri Kurti në Facebook.