Përfaqësuesja speciale e sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) dhe shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, ka bërë thirrje për vazhdimin e përpjekjeve dhe përkushtimit për zgjidhjen e fatit të viktimave të zhdukur nga lufta në Kosovë, në Ditën e të zhdukurve.
Ajo u ka bërë thirrje autoriteteve që të trajtojnë çështjen e personave të zhdukur si çështje prioritare për të lehtësuar vuajtjet e familjeve.
“U bëj thirrje autoriteteve kompetente që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të zbatuar, në mirëbesim, Deklaratën për personat e zhdukur, për të cilën u pajtuan në maj në kuadër të Dialogut të përkrahur nga BE-ja. Zgjidhja e fatit të personave të zhdukur mund të kontribuojë në procesin më të gjerë të ndërtimit të besimit, pajtimit dhe ruajtjes së paqes. Mungesa e progresit mund të dëmtojë dialogun e vazhdueshëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, ka thënë ajo në një deklaratë të lëshuar nga UNMIK-u të mërkurën.
Ziadeh ka kujtuar vizitën e fundit dhe gjetjet kryesore të raportuesit special të Kombeve të Bashkuara për promovimin e së vërtetës, drejtësisë, dëmshpërblimit dhe garancive për mospërsëritje, Fabian Salvioli, i cili në atë kohë konstatoi se politizimi i kërkimit të personave të zhdukur kishte shkaktuar zhgënjim të madh në shoqërinë civile dhe në familjet e tyre.
“Fati i viktimave të zhdukjeve me forcë duhet të zgjidhet në frymën e pajtimit, ndërtimit të besimit dhe respektimit të të drejtave të njeriut, dhe jo të politizohet”, ka thënë Ziadeh.
Sipas komunikatës, UNMIK-u do të vazhdojë të avokojë për rifillimin e bashkëpunimit për këtë çështje me një qasje të të drejtave të njeriut ku në qendër ka viktimat, në bashkëpunim të ngushtë me familjet dhe të gjithë aktorët përkatës.
Edhe
Haxhiu e Kurti kërkojnë sërish nga Serbia t’i hapë arkivat për të pagjeturit
Sipas UNMIK-ut, 6.065 persona janë zhdukur si pasojë e konfliktit në Kosovë në vitin 1998 dhe 1999. Aktualisht janë 1.617 raste të hapura të personave të zhdukur, prej të cilëve 1,355 janë meshkuj dhe 262 femra.
*Raporti i Salviolit do të prezantohet gjatë sesionit të pesëdhjetë e katërt të Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, nga 11 shtatori deri më 6 tetor 2023.
-
UNMIK-u: Bashkëpunimi Prishtinë-Beograd është kyç për zbardhjen e fatit të të zhdukurve
-
Udhëheqës shtetërorë kërkojnë zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë
-
Blakaj: Çështja e personave të zhdukur po trajtohet si politike e jo si humanitare
-
Kërkohet zbardhja e fatit të personave të zhdukur me dhunë në Kosovë