Arbëri

Universiteti i Prishtinës shënon 53-vjetorin e themelimit

Me ceremoni solemne, të mërkurën Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” shënoi 53-vjetorin e themelimit të tij.

Në këtë ceremoni morën pjesë qeveritarë, rektorë dhe zëvendësrektorë të universiteteve publike shqiptare, akademikë, anëtarët e Këshillit Drejtues, dekanë dhe senatorë, partnerë, pjesëtarë të stafit akademik dhe administrativ, studentë dhe familjarë.

I pari i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, i cili theksoi se 53 vjet në universin e ekzistencës sonë kolektive mund ta portretizojnë vetë historinë.

Rektori Qerim Qerimi, ndër të tjerash, foli për misionin e UP-së, duke theksuar se përpos rolit social, UP-ja ka mision të përjetshëm e të pandryshueshëm gjetjen e së vërtetës. “Gjetja e së vërtetës kërkon për pasojë përpjekje të përhershme. Që të ndriçohet e vërteta, neve na duhet argumenti, arsyeja, eksperimentimi, këto shpesh të testuara në shpjegimet dhe idetë e kundërta. Ky është funksioni i një institucioni të lartë të dijes, një laborator masiv, ku studiuesit e studentët mendojnë, debatojnë dhe mbledhin dëshmi në mbështetje të teorive dhe botëkuptimeve të tyre”, u shpreh rektori Qerimi.

Ditën e Universitetit e uroi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Në fjalimin e tij, Kurti foli për aktin e themelimit të universitetit, nisur që nga demonstratat e vitit 1968, me parullat “Duam universitet”, rëndësinë e institucionit në prodhimin e dijes, të vërtetës dhe ushtrimit të subjektivitetit, si dhe ndikimin që UP-ja ka në shtetndërtim.
 

“Sot nën shtetësinë dhe pavarësinë e republikës sonë nuk ka institucion me rol dhe kontribut më të madh se Universiteti i Prishtinës. Andaj, teksa kremtojmë ditëlindjen e universitetit tonë, ne kremtojmë vetë rritjen tonë si shtet”, veçoi Kurti.

Mbi idealin e krijimit të UP-së dhe potencialin e tij iluminues foli kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademik Mehmet Kraja.

Ndërkaq, rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, foli për bashkëpunimin ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe atij të Tiranës dhe përgjegjësinë që këto institucione kanë për identifikimin dhe adresimin e nevojave të shoqërisë.

Gjatë kësaj ceremonie, u ndanë edhe mirënjohjet për studentët e dalluar të njësive akademike të UP-së, si dhe me motivacionin “për shërbimin e tyre për universitetin” u ndanë mirënjohje edhe për ish-pjesëtarë të stafit administrativ të UP-së.