Vendimi i Këshillit Drejtues të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë për ta shfuqizuar zgjedhjen e katër anëtarëve të rinj të tij ka përfunduar në gjykatë. Tre profesorë e kanë paditur universitetin, duke e cilësuar vendimin të jashtëligjshëm. Ata insistojnë se organi drejtues nuk ka pasur as kuorum të mjaftueshëm. E kryesuesja e KD-së, Emine Abdyli-Pozhari, thotë se ka vepruar në përputhje me statutin dhe opinionin e MASHTI-t
Tre profesorë e kanë paditur Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, me arsyetimin se në mënyrë të kundërligjshme e për motive politike, Këshilli Drejtues i këtij institucioni e ka shfuqizuar vendimin e Senatit për zgjedhjen e katër anëtarëve të rinj në këtë këshill.
Në mbledhjen e senatit të datës 1 korrik si anëtarë me mandat 3-vjeçar të Këshillit Drejtues u zgjodhën profesorët: Hajrija Shkriejlj, Arsim Kelmendi, Berat Aqifi dhe Valdrin Misiri.
Por, vetëm një ditë më pas, Këshilli Drejtues, nën kryesimin e Emine Abdyli-Pozharit vendosi ta anulonte këtë vendim, me arsyetimin se katër anëtarët ishin zgjedhur nga përbërja e re e senatit, së cilës nuk i fillon mandati para 1 tetorit, kur nis viti akademik.
Në padinë e profesorëve Shkrijelj, Misiri dhe Aqifi, theksohet se Këshilli Drejtues nuk ka kompetenca për t’i shfuqizuar vendimet e senatit dhe se vendimi është marrë pa kuorum të nevojshëm.
Sipas tyre, zgjedhjet për anëtarët e KD-së janë organizuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor i universitetit, i cili pas përmbylljes së procesit ka konstatuar se gjithçka ka përfunduar me sukses.
Edhe
Profesorët i “frikësohen” pozitës së anëtarit të Këshillit të Etikës
“Për më tepër, duhet theksuar se Senati i Universitetit është organi i cili, në përputhje me Statutin e UHZ-së, i zgjedh anëtarët e Këshillit Drejtues dhe jo anasjelltas. Kjo e bën tërësisht të paqartë, të pabazuar dhe përbën tejkalim të kompetencës dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare kur kryesuesja e Këshillit Drejtues, në mungesë kuorumi dhe në mënyrë të njëanshme, me anëtarë të vjetër (nën veprimet e konfliktit të interesit) vendos ta shfuqizojë vendimin e Senatit për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit Drejtues”, thuhet në padinë e profesorëve.
Në një përgjigje për KOHËN, kryesuesja e Këshillit Drejtues, Emine Abdyli-Pozhari, ka mohuar se ky organ i ka tejkaluar kompetencat.
Ka thënë se vendimi për shfuqizimin e atij të Senatit është marrë për ta ruajtur ligjshmërinë, meqë, sipas Statutit dhe opinionit të MASHTI-t, senati në përbërje të re nuk ka mandat para datës 1 tetor.
Sipas saj, në mbledhjen e datës 2 korrik kanë marrë pjesë tetë nga nëntë anëtarët e KD-së përfshirë rektorin, i cili nuk ka të drejtë vote.
Në momentin e votimit, tre anëtarë me të drejtë vote u përjashtuan për ta shmangur konfliktin e interesit.
“Nga pesë (5) anëtarët që kanë mbetur të pranishëm, katër (4) prej tyre kanë pasur të drejtë vote – duke e përmbushur minimumin e kërkuar prej katër anëtarësh me të drejtë vote për vendimmarrje valide, sipas Statutit”, ka thënë Emine Abdyli-Pozhari.
E profesori Valdrin Misiri ka vlerësuar se këto veprime përbëjnë ndërhyrje të rëndë dhe, sipas tij, të pajustifikueshme në një proces demokratik.
“Vendimi i datës 2 korrik është qartësisht i kundërligjshëm dhe në kundërshtim me statutin e UHZ-së. Kryesuesja e KD-së, znj. Abdyli, ka ndërmarrë hapa të paligjshëm duke e shfuqizuar, pa të drejtë dhe pa rend dite, vendimin për komisionin profesional për zgjedhjen e rektorit, si dhe zgjedhjen e katër anëtarëve të rinj të KD-së nga Senati. Ky veprim përfaqëson ndërhyrje të drejtpërdrejtë në një proces zgjedhor tashmë të përfunduar, duke e shkelur autonominë institucionale dhe vullnetin e organeve zgjedhore, ka thënë Misiri. “Këto veprime janë tërësisht të paarsyeshme dhe znj. Abdyli duhet të japë llogari për to para organeve përgjegjëse”.
Edhe
Studentët kundërshtojnë vendimin që ua ndalon provimet për një vit nëse humbin tri ligjërata
Abdyli-Pozhari për vendimin është thirrur edhe në opinionin e MASHTI-t, ndonëse ai ishte lëshuar 13 ditë pasi është marrë vendimi nga Këshilli Drejtues.
MASHTI, përmes një përgjigjeje, ka konfirmuar se opinioni ligjor është lëshuar më 15 korrik.