Arbëri

Ugljanin: Trysnia ndërkombëtare, arsyeja kryesore pse u shty vendimi për lirimin e objektit në veri

Trysnia ndërkombëtare për të mos pasur tensione pak ditë para takimit të nivelit të lartë në Bruksel ka qenë arsyeja kryesore pse kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, e ka shtyrë vendimin për lirimin e objektit komunal që shfrytëzohet nga struktura ilegale, ka thënë kryesuesi i Kuvendit Komunal të kësaj komune, Nexhat Ugljanin.

Komuna e Mitrovicës së Veriut të premten pasdite e ka shtyrë për herë të dytë ekzekutimin e vendimit për largimin e strukturave paralele të Serbisë nga hapësirat e objektit në “Lagjen e boshnjakëve”, i cili i takon Komunës. Në njoftimin e kryetarit Atiq, arsyetimi për shtyrjen e vendimit për herë të dytë ka qenë një raport që e ka kërkuar nga Inspektorati komunal në afat prej 15 ditësh.

Ugljanin ka thënë se ndërkombëtarët kanë bërë trysni të madhe që sot situata të mos eskalonte.

“Gjithë ditën kam qenë në vendin e punës. Dhe vendimi për lirimin e objektit ka qenë nën përcjellje të ndërkombëtarëve tërë ditën, ka pasur përfaqësues të KFOR-it, EULEX-it. Ka qenë edhe trysnia nga ndërkombëtarët që ka ndikuar në shtyrjen e vendimit, sidomos pasi bisedimet janë në Bruksel dhe për të mos eskaluar situata. Arsyeja kryesore pse u shty është trysnia nga ndërkombëtarët”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.

Ugljanin mendon se kjo situatë duhet të zgjidhet politikisht dhe që objekti të lirohet në mënyrë të rregullt, “që të mos tensionohet situata”.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal ka thënë se janë edhe objekte të tjera që po shfrytëzohen nga strukturat paralele e për të cilat, sipas tij, po pritet vendimi i Komunës që të kërkohet edhe lirimi i tyre.

Ugljanin, megjithatë, ka shprehur çudi për “trysninë e ndërkombëtarëve për disa veprime për lëvizje të lirë” që Komuna e Mitrovicës së Veriut thotë se i ka marrë.

Por ai ka paralajmëruar se shumë shpejt do të vijnë me vendime të reja.

“Ne shumë shpejt do të vijmë me vendime të tjera, sidomos me rindërtimin e xhamisë si simbol i Mitrovicës. Në mbledhjen e ardhshme pritet ta miratojmë. Jemi në bisedime me BIK-un. Por edhe ndërtimin e shkollës dhe QMF-në”, ka thënë Ugljanin.

Ugljanin ka thënë se beson që zgjedhjet e hershme në veri do të mbahen në fundin e këtij viti.