Komuna e Mitrovicës së Veriut e ka shtyrë për herë të dytë ekzekutimin e vendimit për largimin e strukturave paralele të Serbisë nga hapësirat e objektit në “Lagjen e boshnjakëve”, i cili i takon Komunës. Megjithëse shtyrja e afatit u bë publike tek në mbrëmje, zyrtarët e institucioneve ilegale të Serbisë kishin dalë në punë, pavarësisht vendimit në fuqi për lirim të objektit. Për ta ekzekutuar vendimin e vet, Komuna nuk i ka kërkuar asistencë Policisë së Kosovës, të cilët janë deklaruar të gatshëm për intervenim
Tetë shtatori i ka gjetur në punë zyrtarët e strukturave paralele të Serbisë ani se me vendim të Komunës së Mitrovicës së Veriut, në këtë datë, ata do të duhej t’i lironin zyrat e objektit që gjendet në “Lagjen e boshnjakëve”. Rezistencën për mosrespektim të vendimit për t’ia lëshuar objektin Komunës serbët e nisën qysh mbrëmjen e së enjtes, kur u mobilizuan që ta kalonin edhe natën aty. Derën ata e kanë mbyllur nga brenda dhe lëvizja është lejuar vetëm për punëtorët e institucioneve ilegale të Serbisë. Prezentë, ndonëse në numër tejet të vogël, ishin vetëm pjesëtarët e KFOR-it dhe Karabinieri italian, ndërsa njësitet e Policisë së Kosovës janë parë vetëm herë pas here. E brenda objektit po qëndrojnë zyrtarë të katër institucioneve paralele, ata të Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, të Drejtorisë së Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor, të Qarkut Administrativ të Mitrovicës dhe punëtorët e Qendrës për Punë Sociale.
Vendimi i Komunës së Mitrovicës së Veriut për t’i larguar nga ky objekt është marrë me arsyetimin se ai i takon Komunës. Por të premten gjatë ditës nuk është ndërmarrë ndonjë veprim shtesë për ta zbatuar atë. E ndërkohë, të njëjtën ditë, në orët e mbrëmjes, kryetari i Komunës, Erden Atiq, njoftoi se vendimi për lirim të objektit shtyhet deri në pranimin e raportit nga Inspektorati komunal. Me këtë vendim Inspektorati komunal është obliguar që të faktojë rrethanat dhe arsyet e përdorimit të objektit në fjalë, të cilat duhet të mblidhen përmes vizitave në terren dhe komunikimit me të gjitha palët. Ky raport i Inspektoratit duhet t’i sillet Komunës brenda afatit prej 15 ditësh.
“Inspektorati Komunal duhet ta sjellë raportin brenda afatit kohor prej 15 ditësh, pas pranimit të të cilit e pas vlerësimit të të gjetjeve, ky vendim ekzekutohet përmes procedurës përmbarimore, nëse palët kanë refuzuar lirimin vullnetar të objektit”, thuhet në vendim.
Në Polici kanë thënë se këtij institucioni nuk i ka mbërritur asnjë kërkesë për ta asistuar Komunën në largimin e ilegalëve. Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut, Veton Elshani, ka deklaruar se Policia është e gatshme për intervenim sa herë që u kërkohet nga institucionet.
“Deri në këtë moment kur po flasim, nuk kemi kërkesë për asistencë, sidoqoftë nëse kërkohet asistenca, ne jemi të gatshëm që ta ofrojmë atë, nuk kemi ndonjë problem, sepse kemi krijuar përvojë tash në veri të Kosovës për intervenime, por nuk ka pasur një kërkesë të tillë”, është shprehur ai.
Kjo është hera e dytë që Komuna shtyn vendimin e saj.
Edhe
Ende s’ka veprim për largim të strukturave ilegale nga objekti në Mitrovicë
Vendimi i administratës së Komunës kishte paraparë fillimisht që objekti të lirohej më 25 gusht, por më pas ishte shtyrë për dy javë (deri më 8 shtator), me arsyetimin që zyrtarëve që punojnë aty t’u jepet kohë për largim të dokumentacionit në posedim. Kundër zbatimit të vendimit janë deklaruar më herët Shtetet e Bashkuara të Amerikës e edhe Bashkimi Evropian.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për çështjet e sigurisë dhe politikës së jashtme, Peter Stano, kishte thënë se ky vendim shkon në kundërshtim me përpjekjet për të ulur tensionet në raportet mes Kosovës dhe Serbisë dhe kërkon që këto çështje të adresohen në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“Rasti me këtë vendim nuk ka qenë i tillë. Çështja e strukturave të udhëhequra nga Serbia duhet të adresohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe duhet të zgjidhet në kontekstin e themelimit të Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe”, kishte thënë Stano.
-
Mitrovica e Veriut u jep edhe 14 ditë kohë ilegalëve ta lëshojnë objektin komunal
-
Ugljanin: Trysnia ndërkombëtare, arsyeja kryesore pse u shty vendimi për lirimin e objektit në veri
-
Shtyhet për dy javë ekzekutimi i vendimit për lirim të objekteve komunale në Mitrovicë të Veriut
-
BE-ja u del në mbrojtje strukturave ilegale të Serbisë në Mitrovicën e Veriut