Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Në Mitrovicë të Veriut s’ka nisur ende mbledhja e nënshkrimeve për shkarkim të kryetarit

Në Mitrovicë të Veriut nuk ka nisur ende mbledhja e nënshkrimeve për shkarkim të kryetarit, pavarësisht se afati për mbledhjen e tyre skadon më 22 janar, ka bërë të ditur kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljanin.

Megjithatë, Ugljanin ka njoftuar se grupi i serbëve që po merren me peticionin për shkarkimin e kryetarit kanë bërë kërkesë sot [e premte] për t’ia lejuar shfrytëzimin e sallës së sportit për të nisur me procesin e mbledhjes së nënshkrimeve.

“Kanë kërkuar nga Kuvendi Komunal shfrytëzimin sallën e sporteve, për nisjen e peticionit. Më 15 janar, do ta thërras Kuvendin Komunal për t’ia aprovuar kërkesën”, ka thënë Ugljanin në “60 Minuta” të KTV-së.

Ugljanin ka thënë se serbët me qëllim e kanë lënë në fund të afatit mbledhjen e nënshkrimeve. Ai e ka quajtur këtë lëvizje si “destruksion politik”.

“Afati i tyre po mbetet shtatë ditë. Sipas udhëzimit administrativ, ata mund të kërkojnë që afati të shtyhet edhe për 15 ditë. Ne do të punojmë sipas udhëzimit administrativ”, ka thënë ai.

Edhe Avancon procesi i peticionit për largimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut Arbëri Avancon procesi i peticionit për largimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut

Ugljanin ka theksuar se grupi që është marrë me peticionin nuk ka bërë asnjë hap konkret deri tash për nisjen e këtij procesi. Por beson se nënshkrimet do të përfundojnë shpejt, pasi siç thotë ai, serbët, në mënyrë të organizuar nga Lista Serbe, “brenda një ose dy dite do t’i kryejnë nënshkrimet”.

Në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq dhe Zubin-Potok ka pasur të nisë më 22 dhjetor mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë. Në Zveçan, afati ka nisur më 27 dhjetor. Afati për mbledhjen e nënshkrimeve është 30 ditë.

Në udhëzimin administrativ të bërë sivjet, duhet që 20 për qind e votuesve të regjistruar të nënshkruajnë peticionin, për të çuar në votim procesin për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Në këtë rast, në Mitrovicën e Veriut, numri i votuesve është: 18,199. Sipas përllogaritjeve, 3,640 votues përbëjnë 20% të trupës elektorale. Nëse konfirmohet nënshkrimi i peticionit nga të paktën 20 për qind e votuesve të regjistruar, në procesin e votimit duhet të votojnë pro të paktën 50 për qind, për ta rrëzuar kryetarin.

Udhëzimi Administrativ për shkarkimin e kryetarëve të komunave nëpërmjet peticionit u miratua pasi nëpërmjet protestave, serbë të veriut kundërshtuan zgjedhjen e autoriteteve lokale që morën mandatin në procesin elektoral, i cili u bojkotua nga Lista Serbe.

Për shkak të hyrjes së kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale – me asistimin e policisë së Kosovës – në fund të majit, serbët lokalë organizuan protesta në Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan.

Edhe Skepticizëm për suksesin e procesit të votimeve në veri Arbëri Skepticizëm për suksesin e procesit të votimeve në veri

Tensionet u përshkallëzuan në dhunë më 30 maj në Zveçan, pasi protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet mbetën të plagosur dhjetëra persona nga të dyja palët.

Bashkësia ndërkombëtare në krye me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia të ulin tensionet. Nga Prishtina kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja, ndërkaq nga Beogradi që të inkurajojë serbët të marrin pjesë në procesin zgjedhor.