Gjeraqina Tuhina, korrespodente e RTK-së në Bruksel ka thënë se Bashkimi Evropian nuk është deklaruar shpesh rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe se nuk ka thënë asgjë lidhur me procesin. Kjo sipas saj krejt me qëllim që të mbyllet qasja për mediumet dhe të ketë sa më pak transparencë. Këtë e argumenton edhe me takimet e vonshme ndërmjet palëve ku Tuhina thotë se mediat merrnin vesh për to vetëm të nesërmen.
“Nuk ka dhënë aspak informacion BE-ja, sepse nuk është informacion të tregosh se palët janë paraqitur në ndërtesë. Mos të flasim për qasjen kur dialogu politik mbahej dhe takimet mbaheshin natën vonë, nuk ka qenë e paqëllimshme, ishte e qëllimshme që të mbyllen mediumet të mos kenë mundësi të marrin pjesë. Gjithçka është bërë që të ketë sa më pak transparencë. Gjithçka kemi mundur të marrim vesh një apo dy ditë më pas”, tha ajo në DESKU të KOHËS.
Tuhina tha se përgjatë 10 vitesh prej kur nisi procesi i dialogut, mungesa e transparencës i ka përcjellë vazhdimisht.
“BE-ja ndonëse ka ndërruar personat që ndihmojnë këtë proces në qasje të ndryshme, një gjë re kanë pasë të përbashkët, mungesën totale e transparencës sa i përket substancës dialogut dhe angazhim në terminologjinë që është përdorur në komunikatat e thata që janë lëshuar në fund se që ka ndodhur në të vërtet”, tha ajo.
Sipas Tuhinës, pala kosovare në dialog “hyri pa ditur se në çfarë ujëra po hyn dhe pa parashtruar kërkesa se cili do të jetë qëllimi përfundimtar i tij”.