Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Trusti nuk ka pësuar humbje nga kriza në Ukrainë

Zëdhënësi i Trustit Pensional të Kosovës, Jeton Demi, ka thënë se Trusti nuk ka pësuar humbje si pasojë e luftës në Ukrainë ashtu siç po paraqitet, por ka rënie të vlerës së investimeve.

Demi në “60 Minuta” të KTV-së ka shpjeguar se Bordi drejtues dhe menaxhmenti i Trustit i kanë marrë masat e nevojshme për ta amortizuar luhatjen në tregjet financiare, së pari si pasojë e pandemisë e së fundmi edhe si pasojë e pushtimit rus në Ukrainë.

“Nuk është fjala për humbje, është fjala për rënie të vlerës së investimeve. Ne kemi pasur në vitin 2021 një kthim në investime rreth 227 milionë euro, për tri vjetët e fundit kemi pasur kthim prej 450 milionë euro bruto të investimeve. Është e pritshme që në një situatë të tillë të rrezikut të shfaqur në Ukrainë të kemi tronditje dhe frikë të investitorëve dhe rënie të vlerës së investimeve tona e cila është rreth 4% por krahasuar me tregjet financiare, kjo vlerë është disa herë më e vogël se sa e tregjeve financiare, që është masa e para mbrojtëse për të gjithë kontribuuesit”, ka thënë Demi.

Ai ka shpjeguar se shumica e investimeve të Trustit janë drejtuar në instrumente me rrezik të ulët.

“Masat që janë marrë gjatë janarit dhe shkurtit, janë hequr investimet dhe pozicionet tona në instrumentet që kanë pasur rrezik më të lartë, dhe e kemi fondin me rrezikshmërinë më të ulët historikisht ndonjëherë. I kemi drejtuar shumicën e investimeve tona në instrumente me risk të ulët. Kjo është masa e para dhe ka dhënë rezultat pasi vlera e investimeve ka rënë me vetëm 4% ndërkohë që tregjet financiare kanë rënë prej 12-20%. E kemi amortizuar rënien e tregjeve financiare me atë masë. Masa e dytë është prej 16 shkurtit për të gjithë kontribuuesit që do të pensionohen brenda 18 muajve nga kjo datë. Ata nuk do t’i ndjejnë fare luhatjet dhe rëniet e vlerës”, ka shpjeguar Demi.

Edhe Agresioni rus në Ukrainë prek edhe Trustin, 90 milionë euro humbje Arbëri Agresioni rus në Ukrainë prek edhe Trustin, 90 milionë euro humbje

Sipas tij, prej themelimit të institucionit e deri në fund të vitit 2021, rritja e vlerës nga investimet ka shkuar në 782 milionë euro.

Ai ka shtuar se Trusti nuk është në nivelet e alarmimit sepse të gjitha masat janë marrë me kohë.