Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Trump do të emërojë diplomaten Kavalec ambasadore në Shqipëri

Presidenti Donald Trump njoftoi të martën synimin për të emëruar zonjën Kathleen Ann Kavalec nga Kalifornia si Ambasadore e SHBA në Shqipëri, njoftoi Shtëpia e Bardhë, përcjell VOA në shqip.

Kavalec aktualisht shërben si Zëvendës Ndihmës Sekretare në Zyrën e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit me mbi tre dekada përvojë si diplomate.

Më parë ka shërbyer si Drejtoreshë e Zyrës së Çështjeve të Rusisë, Zëvendës Shefe e Misionit të SHBA në UNESCO në Paris, Zëvendës Koordinatore e Ndihmës në Zyrën e Çështjeve Evropiane dhe Drejtore për Parandalimin e Konflikteve në Zyrën e Koordinatorit për Rindërtimin dhe Stabilizimin.

Kavalec ka mbaruar Universitetin e Kalifornisë në Berkeley dhe ka një master nga Universiteti Georgetown.

Flet rrjedhshëm gjuhët frënge, rumune, ukrainase, ruse, spanjolle dhe portugeze.