Arbëri

Tri dekada UNICEF në Kosovë shënohen me rrëfimet e kontributdhënësve në kohë të ndryshme

Dita Botërore e Fëmijëve dhe 30-vjetori i UNICEF-it në Kosovë janë shënuar me një konferencë që ka bashkuar njerëzit që kanë kontribuar në mbrojtjen dhe fuqizimin e fëmijëve gjatë kësaj periudhe. Mes rrëfimeve personale, përvojave nga terreni dhe momenteve që kanë shënuar punën e organizatës, është rikujtuar rruga e gjatë e sfiduese e kësaj organizate në Kosovë

Arsimi, shëndetësia dhe mbështetja për të rinjtë e fëmijët janë fushat që kanë përfituar më së shumti nga fondet e UNICEF-it në Kosovë gjatë tri dekadave të punës së kësaj organizate, është thënë në konferencën e organizuar të enjten për shënimin e 30-vjetorit të kësaj organizate në vend dhe Ditës Botërore të Fëmijëve.

Në këtë ngjarje u ndanë përvoja dhe rrëfime personale nga profesionistë që kanë qenë pjesë e misionit për mbrojtjen dhe fuqizimin e fëmijëve ndër vite.

Shefja e UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko, ka rikujtuar disa nga momentet më domethënëse nga terreni. 

Ajo ka përshkruar vizitën në fshatin Brekoc të Gjakovës, ku ka takuar fëmijë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, e që, siç ka thënë tha ajo, i kanë dhënë kuptim të ri misionit të organizatës.

“Menjëherë pasi fillova detyrën time këtu, udhëtova në fshatin Brekoc në Gjakovë për të vizituar një qendër tjetër të mbështetur nga UNICEF-i me partnerët tanë. U prekja thellë nga kureshtja e mrekullueshme e fëmijëve nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Të vegjlit kishin përgatitur klasat e tyre dhe fëmijët më të rritur ndihmoheshin me kurset mbështetëse dhe detyrat e shtëpisë. Pastaj iu afrova një burri, quhej Kendrin. Ai është baba i katër fëmijëve dhe vjen nga komuniteti egjiptian. E pyeta: Çfarë mund të bëjë UNICEF-i më mirë? Ai m’u përgjigj: “Veronika, unë jam analfabet. Po i sjell fëmijët e mi këtu sepse është jashtëzakonisht e rëndësishme që ata të kenë një mundësi më të mirë në jetë sesa kam pasur unë, përmes arsimit”, ka thënë Vashchenko.

Rrëfimin e saj e ka ndarë edhe Flaka Surroi, pronarja e KOHË-s dhe punonjësja e parë e UNICEF-it në Kosovë. 

Ajo ka folur për vitet e luftës, kur ekipi punonte në kushte të rënda dhe shpesh nën kërcënim, por gjithmonë me vendosmëri për të ndihmuar nënat dhe fëmijët.

“Dilnim për çdo ditë në terren, pos atëherë kur policia na e ndalte qarkullimin. Nuk pati rrugë me lloç që nuk e kaluam, pikërisht për t’iu shmangur punkteve policore. Na kërcënuan me ekzekutim, na arrestuan, na bastisën... dhe krejt çka arritën është vetëm që të na e shtonin vullnetin. Ekipet mjekësore do t’i trajtonin, në ambulanca të improvizuara, nga 200 pacientë në ditë, kryesisht nënat dhe fëmijët e tyre. Dhe përherë, në atë grumbull, do të gjendej edhe ndonjë i moshuar, që thuajse përherë, nuk do të kishte ndonjë lëngatë serioze, pos vetmisë dhe mërzisë”, ka thënë Surroi.

Gjatë konferencës janë shfaqur edhe videomesazhe të bashkëpunëtorëve të UNICEF-it, të cilët kanë rrëfyer përvojat personale dhe emocionet e punës.

Avokuesi për fëmijë me aftësi të kufizuara, Rijad Mehmeti, ka sjellë në vëmendje sfidat e izolimit. 

Ndërsa infermierja e programit të vizitave në shtëpi, Shemsije Jezerci, ka folur për punën e saj të përditshme me familjet që marrin mbështetje direkte.

Drejtuesit e UNICEF-it kanë treguar se ndër vite kanë kontribuar në hartimin dhe miratimin e ligjeve kyç në vend nga Ligji për mbrojtjen e fëmijës, tek ai për edukimin e hershëm dhe shërbimet sociale e familjare, si dhe korniza që synojnë fuqizimin e të rinjve dhe zhvillimin e hershëm të fëmijërisë.