Për grumbullimin e mbeturinave në parkingun e tregut me shumicë në Prishtinë, tregtarët kanë akuzuar AKP-në. Në Shoqatën e tregtarëve me shumicë thonë se pavarësisht kërkesave të vazhdueshme e presionit dymujor, nëpërmjet mospagesave të qirave sivjet, AKP-ja nuk i ka siguruar mjedis të përshtatshëm për t’i shitur produktet e tyre. Ata kanë kërkuar që tregu t’i kalojë Komunës së Prishtinës dhe që për të menaxhuar me tregje të përkujdeset një drejtori e veçantë komunale.
Shitësit e tregut me shumicë në Prishtinë ankohen se gjendja me mbeturina në hapësirat ku ata zhvillojnë veprimtarinë është rënduar krahasuar me vitet e shkuara.
Në pjesën që është paraparë të jetë parking, në tregun ku ndodhen disa prej tregtarëve më të mëdhenj të pemëve e perimeve në Kosovë, mbeturina më shumë ka pasur në mëngjesin e hershëm, porse një pjesë e tyre është larguar nga kompania regjionale “Pastrimi”.
Shqetësuese është gjendja me mbeturinat për pemëtarin Ejup Kaçiu, që ka kamion me pemë vendore afër pikës që duket si deponi mbeturinash. Pengesat me mbeturina janë të përhershme, por shtohen pos në orët e hershme të mëngjesit, ashtu edhe të hënave.
“Na mbushen edhe gjërat ushqimore që i shesim, por edhe kamioni edhe kombi edhe gjithçka mbushet me miza... Është një erë shumë e rëndë, shumë e papastër, është shumë keq kështu në këtë kohë të rrish këtu me shumë bërllok. S’e dimë më as ku të ankohemi, ku të flasim e ç’të themi më shumë”, ka thënë Kaçiu.
Anëtarë të Shoqatës së Tregtarëve me Shumicë fajësojnë Agjencisë Kosovare të Privatizimit, pasi nuk ka arritur të krijojë kushte për tregtarët që i paguajnë qira, e as të sigurohet që kompania “Pastrimi” ta pastrojë për çdo ditë me rregull këtë pjesë.
“Nuk janë arsyetuar nga AKP-ja se pse nuk bëhet një shërbim i tillë, ndërsa pagesat i kanë marrë çdoherë dhe i kanë marrë me rregull, përkundër shërbimeve që s’kanë ofruar asgjë, bile çfarë është më e keqja në disa raste kur disa tregtarë kanë hasur në vështirësi nga ana financiare i kanë kërcënuar edhe me përmbarim. Kjo pikë që ne e shohim është pikë kancerogjene e krejt komplet tregut dhe fatkeqësisht nuk është e vetmja pikë, por është njëra prej pikave më të mëdha të mbeturinave sepse gjithandej rrotull është ‘full’ me mbeturina”, ka thënë Osman Fejza, importues e anëtar i Shoqatës së Tregtarëve me Shumicë.
Kërkesën për largim të rregullt të mbeturinave e kanë ashpërsuar këtë vit, pasi për dy muaj nuk kanë paguar qira, siç thotë Fejza, “për hakmarrje për keqmenaxhimin me mbeturina në tokën që e menaxhon Agjencia”.
Ai ka kërkuar që të ky treg që është nën AKP-në të kalojë në kuadër të Komunës së Prishtinës dhe të hapet një drejtori e veçantë për tregje.
Pas një takimi me nënkryetarin e Prishtinës, Alban Zogaj, ka thënë se kanë marrë indikacione se tregu do të kalojë nën ombrellën e komunës, andaj edhe i kanë kërkuar anëtarëve ta paguajnë borxhin dymujor.
AKP-ja, Komuna e Prishtinës e as kompania “Pastrimi” nuk janë përgjigjur në pyetjet e KOHËS për grumbullin e mbeturinave dhe për propozimin për kalim të këtij tregu në përgjegjësi të Komunës, deri në publikimin e këtij artikulli.
Sipas tregtarëve në treg të shumicës bëjnë pjesë rreth 2.000 biznese me rreth 3.000 të punësuar. Dëmi i mbeturinave është edhe ekonomik sipas tregtarëve pasi shkaku i ndotjes produktet ushqimore, që e përbëjnë peshën më të madhe të produkteve në këtë treg, prishen më shpejt.