Arbëri

Tre persona u arrestuan për lëshim të testeve të rrejshme COVID

Janë arrestuar tre persona të martën mbrëma në Prizren, lidhur me veprën penale falsifikim, nën dyshimin se kishin dhënë teste të rrejshme PCR për COVID-19. Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHKP-ja nuk kanë pranuar të flasin për mbarëvajtjen e procesit të testimeve, ndërkohë që në Shoqatën e Pacientëve kanë thënë se falsifikimi i rezultatit të testeve është përfolur shumë dhe se hetimet policore duhet të zgjerohen përtej rastit në Prizren

Ka kohë që janë ngritur dyshime për keqpërdorimin e rezultatit të testeve për koronavirus, porse një aksion policor për falsifikime të këtilla është ndërmarrë tek të martën mbrëma. Polica e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar tre persona lidhur me veprën penale falsifikim në Prizren, nën dyshimin se kishin dhënë teste të rrejshme PCR për COVID si pjesë e shërbimeve të tyre në agjenci turistike. Siç kanë deklaruar në Shoqatën e Pacientëve, dyshimet për falsifikim të rezultateve të testeve nuk janë diçka e re.

“Kemi pasur informacione se gjëra të tilla, si të themi, janë duke ndodhur. Është mirë që informacione të tilla kanë rënë në duar të Policisë dhe Prokurorisë dhe tani kemi një aksion dhe konsideroj që aksioni duhet të jetë më i madh dhe i zgjeruar, se mendoj se mund të ketë raste edhe të tjera përveç këtyre të këtyre agjencive që kanë keqpërdorur testet PCR apo çfarëdo qofshin”, ka thënë Besim Kodra, kryetar i Shoqatës së Pacientëve të Kosovës.
Derisa kryetari i Shoqatës e Transportuesve, Ruzhdi Kurtishaj, ka thënë se nuk janë të njoftuar me raste të tilla, në disa laboratorë në Prishtinë, që nuk kanë dashur të identifikohen, kanë pranuar se kanë pasur kërkesa për rezultate negative, të cilat i kanë refuzuar dhe se kryesisht kanë qenë nga mërgimtarët që u është dashur testi negativ për të udhëtuar.
As Ministria e Shëndetësisë e as Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike nuk kanë pranuar të japin informata për testimet dhe as inspektimin e këtij procesi.
Ndërkohë, sipas Besim Kodrës, Shoqata e Pacientëve ka identifikuar mungesën e transparencës nga IKSHPK-ja dhe mungesën e inspektorëve shëndetësorë si faktorë që e vënë në pikëpyetje korrektësinë e testimeve.
“Ka mungesë të transparencës, vetëm e shohim që janë bërë 7000, 8000, 10000 teste, mirëpo nuk e dimë se sa teste janë bërë në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik. Inspektorati Shëndetësor ka kapacitete shumë të limituara për të monitoruar funksionimin normal të institucioneve shëndetësore për shkak se janë diku 7, nuk e di sa janë bërë saktësisht, 10 ndoshta”, ka thënë ai.

Derisa në aksionin e Prizrenit, Policia ka njoftuar se përveç arrestimeve janë konfiskuar edhe nëntë shtëpiza kompjuteri, katër telefona dhe 10 teste të dyshuara si të falsifikuara, IKSHPK-ja dhe MSH-ja ka thënë se të martën në total janë kryer mbi 12 mijë testime.