Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Tre faktorët që ndikuan në përkeqësimin e situatës me COVID-19 në Kosovë, sipas Sylës

Shefi i Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Bullgari, Skender Syla, ka thënë se Kosova po kalon gjendjen më të rëndë që nga fillimi i pandemisë me COVID-19.

Syla ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së se për ta kaluar këtë gjendje nevojitet angazhimi i secilit individ.

“Gjendja është e rënduar ndonëse ditëve të fundit kemi një rënie të rasteve ditore pozitive por për faktin që kemi ende një numër shumë të madh të rasteve aktive dhe të të hospitalizuarve, dhe kemi një numër me gjendje të rënduar shëndetësore, dhe fatkeqësisht Kosova është duke kaluar ditët më të rënda që nga fillimi i pandemisë. Nevojitet angazhim i secilit individ, sepse secili mund të kontribuojë në zbutjen e efektit negativ të pandemisë”, ka thënë Syla.

Sipas tij, janë tre faktorë që kanë ndikuar në përhapjen me të madhe të virusit muajve të fundit në Kosovë.

“Tre faktorët që ndikuan në përkeqësimin e situatës me COVID-19 në Kosovë janë: Përhapja në mënyrë marramendëse e variantit Delta, shkalla e ulët e vaksinimit të popullatës, sepse po të kishim një shkallë më të lartë të vaksinimit së paku do të evitonim rastet e rënda, hospitalizimet, dhe mosrespektimi dhe moszbatimi i masave. Periudha e qershorit deri më 19 korrik, ishte një periudhë e qetë dhe kishte dyndje të qytetarëve që vinin nga anekënd botës, të cilët hynin në Kosovë pa kontroll, pastaj dasma me 300 persona, disco klube me ambiente të mbyllura”, është shprehur Syla.

Ai ka shtuar se duhet të bëhet vaksinimi për ta kaluar këtë gjendje sepse sipas tij, vetëm përmes vaksinimit evitohen rastet e rënda të sëmundjes.