Punëtorët e “Trafikut Urban” janë nisur drejt objektit të Qeverisë për ta vazhduar protestën atje.
Në mesin e tyre është edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, pas kërkesës që ata i bënë për t’u bashkuar.
“E ndjej shumë, për të gjithë këta punëtorë këtu që janë të papaguar, faleminderit për të gjithë punën që e keni bërë për tërë këta muaj për t’i shërbyer qytetarët e kryeqytetit përkundër sabotazhave, përkundër bllokadave”, ka thënë Rama.
Për gjithë situatën ai e ka fajësuar Qeverinë në detyrë.
“E dini edhe ju, sikurse ne, sikur t’i keni pagat në bankë, e një zyrtar i bankës atje mos t’i lëshojë paratë, ashtu edhe Qeveria po vepron ndaj Komunës. Paratë tona që i kemi në gatshme nuk na i lëshon, për t’i kryer detyrimet tona ndaj jush”, është shprehur Rama.

Punëtorët e trafikut të gatshëm t'i kthehen menjëherë punës nëse marrin përgjigje pozitive nga Rama
Kryetari i Sindikatës së “Trafikut Urban” në Prishtinë, Ilmi Gashi, ka thënë se janë të gatshëm të rifillojnë punën menjëherë nëse marrin përgjigje pozitive nga komuna.
Në paraqitjen e tij para mediave, para takimit me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, Gashi ka thënë se tash e dy muaj punëtorët e “Trafikut Urban” nuk marrin paga, ndërsa borxhi i tyre ndaj furnitorëve ka kaluar mbi 1.6 milionë.
Ai tutje ka vlerësuar se kjo nuk është çështje politike, por çështje e mbijetesës së ndërmarrjes.
“Me keqardhje i drejtohem qytetarëve të Prishtinës. Na falni për këtë gjendje që ndodhemi sot, jo me dëshirën tonë. Punëtorët e Trafikut Urban kanë 1 milionë euro borxh për naftën, dy rroga nuk i kanë marrë akoma. Tre milionë euro Trafikut Urban ia ka borxh komuna, 1 milion e 600 mijë ne ua kemi furnitorëve tonë. Nuk kemi mjete për të punuar, nuk ka rroga. Nuk është çështje politike, është çështje e mbijetesës së Trafikut Urban ndaj qytetarëve të Prishtinës. Me kryetarin do të tentojmë të flasim nëse na pranon, nëse ka mundësi e nëse jo, greva do të vazhdojë tash e tutje. Por nëse përgjigjet pozitivisht komuna, atëherë sot ndërpritet greva dhe në orën 10:00 apo 11:00 fillon puna”, ka thënë Gashi.
Teksa kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar takim me kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati.
Pezullohen të gjitha linjat e trafikut në kryeqytet, transportuesit privatë në protestë
Transportuesit privatë janë duke protestuar para Komunës së Prishtinës, pasi që kanë marrë vendim që të pezullojnë të gjitha linjat në Prishtinë, për shkak të mospagesës nga Komuna e Prishtinës.
Protestës pritet t’i bashkohen edhe punëtorët e ndërmarrjes “Trafiku Urban” të cilës gjithashtu e kanë pezulluar punën.
Javën që shkoj edhe transportuesit privatë e edhe “Trafiku Urban” kanë njoftuar se ofrimi i shërbimit të transportit publik do të pezullohen plotësisht nga e hëna (sot), për shkaqe financiare.
Problemet me pagesat e shërbimeve në Komunën e Prishtinës janë pasojë e mosmiratimit të buxhetit të komunës së Prishtinës për vitin 2025.
Me arsyetimin se është bllokuar buxheti nga Qeveria në detyrë, edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, të dielën ka njoftuar se “Trafiku Urban” nga e hëna (sot) do të ndërpresë shërbimet e transportit.
Në anën tjetër ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka thënë se Thesari të premten ia ka alokuar Komunës së Prishtinës mjetet për dhjetor.




