Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, e ka akuzuar qeverisjen e LDK-së në Prishtinë për dështim dhe abuzim me qytetarët, për rastin e transportit urban.
Sipas tij Komuna e Prishtinës po përpiqet t’ia lërë fajin Qeverisë për dështimin e saj.
“Qeverisja e LDK-së në Prishtinë ka dështuar jo vetëm në transport, por pothuajse në çdo fushë ku ka nevojë për planifikim, ligjshmëri dhe procedurë. Tani, në prag zgjedhjesh, përpiqen t’ia lënë fajin Qeverisë për dështimet që i kanë shkaktuar vetë. Kjo nuk është qeverisje. Ky është abuzim me institucionin dhe me qytetarët e kryeqytetit”, ka shkruar Durmishi në Facebook.
Ai ka vlerësuar se në bazë të Ligjit për transportin rrugor, të gjitha komunat e edhe Komuna e Prishtinës, kanë pasur obligim ligjor të hartojnë dhe miratojnë rregulloret e reja të transportit në kuvendet komunale.
Sipas tij këtë detyrim e kanë përmbushur mbi 90% e komunave, por jo edhe Komuna e Prishtinës.
“Aktualisht, transporti urban dhe urban-periferik në kryeqytet po zhvillohet pa rregullore transporti, pra jashtë kornizës së duhur ligjore dhe planifikuese. Ky është një dështim i pastër menaxhues. Përveç kësaj, komuna ka obligim të hartojë Planin e Transportit, të bazuar në Planin e Mobilitetit, dhe ta dorëzojë në Ministri për miratim, në mënyrë që linjat urbane dhe urban-periferike të mos ndërhyjnë me linjat ndërurbane”, ka shkruar Durmishi në Facebook, duke shtuar se as këtë se ka bërë Komunës e Prishtinës.
“Përkundrazi, ka improvizuar linja të reja, të pambështetura në plan, të krijuara për efekte elektorale dhe të subvencionuara pa asnjë analizë profesionale”, ka shkruar Rama.
Transportuesit privatë dhe ata të "Trafikut Urban" kanë protestuar para Komunës së Prishtinës dhe Qeverisë, pasi që kanë marrë vendim që t'i pezullojnë të gjitha linjat në Prishtinë, për shkak të mospagesës nga Komuna e Prishtinës.
Problemet me pagesat e shërbimeve në Komunën e Prishtinës janë pasojë e mosmiratimit të buxhetit të kryeqytetit për vitin 2025.