Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Transportuesit paralajmërojnë rritje çmimesh ose mbyllje të kompanive, shkak shtrenjtimi i naftës

Kryetari i Unionit të Shoqatave Rrugore, Jakup Berisha, ka paralajmëruar se nëse trendi i rritjes së çmimit të karburanteve vazhdon, kompanitë e transportit mund të detyrohen të rrisin çmimet ose madje të mbyllin aktivitetin.

Sipas tij, shtrenjtimi i karburanteve po ndikon drejtpërdrejt në kostot e operimit të kompanive të transportit rrugor, duke përfshirë jo vetëm furnizimin me naftë, por edhe pjesët e këmbimit për autobusë, si gomat dhe vajrat.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Berisha ka kritikuar edhe mënyrën se si, sipas tij, po përcaktohen çmimet e karburanteve në Kosovë, duke thënë se importuesit shpesh i rrisin çmimet para se të ketë lëvizje në bursat ndërkombëtare.

“Çmimet kanë ndikuar tej mase, dashtë Zoti që kjo luftë të mos zgjatë, por fatkeqësisht çmimet në Kosovë prej anës së promotorëve me karburante që i furnizojnë pikat e karburantit, që bëjnë import të karburanteve i ngrenë çmimet ende pa u ngritur në bursën ndërkombëtare, prandaj këto ndikojnë tej mase në shpenzimet e kompanive të transportit. Ose duhet t’i ngremë çmimet nëse kjo vazhdon, ose duhet t’i mbyllim kompanitë, t’i lëshojmë punëtorët nga puna. Nuk është në pyetje tani vetëm çmimi i karburantit, karburantet ndikojnë në të gjitha pjesët e këmbimit që bëhen në autobusë; në goma rezervë, në vajra etj”, ka thënë ai në emisionin "tre8tre" në KTV.

Kryetari i Unionit të Shoqatave Rrugore, Jakup Berisha

Ai ka bërë thirrje për ndërhyrje të shtetit në situata krize, duke propozuar që Kosova të krijojë rezerva shtetërore të karburanteve për raste emergjente, njësoj si për produktet bazë si gruri, sheqeri dhe kripa. 

Një tjetër masë që ai e konsideron të nevojshme është ulja e akcizës ose subvencionimi i përkohshëm për sektorin e transportit.

“Ne kemi ndërhyrjen e shtetit në raste të krizave si kjo, apo siç ka qenë pandemia. Shteti duhet të ketë rezerva shtetërore të karburanteve për raste emergjente, njëjtë sikurse e ka grurin, sheqerin, kripën, duhet ta ketë edhe karburantin. Pra, ose të ndërhyjë me rezerva shtetërore, ose ta zbresë akcizën. Që 46 vjet unë merrem me transport rrugor të udhëtarëve, kam përjetuar lloj-lloj krizash për këto 46 vjet, por gjithmonë kanë ndërhyrë organet kompetente për të stopuar keqpërdorimet. Shteti duhet të subvencionojë me kushtin që nëse karburantet bien me përfundimin e luftës, atëherë çmimi duhet të ulet në çmimin ekzistues”, ka theksuar ai. 

VIDEO:

Shtrenjtimi i çmimit të naftës ka vazhduar edhe të hënën. 

Nga 1.35 euro sa ka qenë më 3 mars, tashmë çmimet për litër naftë të hënën kanë arritur në 1.46 deri në 1.52 euro, varësisht nga kompanitë që tregojnë me naftë.

Rritja po vazhdon si pasojë e përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme. 

Të enjten ka hyrë në fuqi vendimi i Ministrisë së Tregtisë, Industrisë e Ndërmarrësisë (MINT) për caktimin e marzhës tregtare, për t’i lëvizur çmimet deri në 1.44 euro për një litër naftë.