Në Klinikën e Kirurgjisë në Shkup ka arritur edhe pacienti i 7-të i mbijetuar nga aksidenti në Bullgari javën e kaluar.
45-vjeçari Orhan Aliti, me autoambulancë u soll nga Spitali Porogov i Sofjes pasi gjatë javës iu nënshtrua një operacionit dhe tani është në gjendje të mirë shëndetësore, thonë mjekët kujdestar që bën pranimin e tij.
Përderisa Orhani arriti i gjallë, djali i tij 23-vjeçar Visar Aliti është në mesin e 45 viktimave që do të sillen në arkivol.
Analiza e ADN-së, ka përfunduar dhe janë identifikuar 45 trupat e pajetë të aksidentit tragjik që ndodhi një javë më parë në Bullgari. Nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, konfirmojnë se në Sofje janë kryer të gjitha metodat gjenetike të marra nga strishot e familjarëve dhe të gjithë trupat e pajetë tanimë kanë emra dhe dihet se cilës familje i përkasin. Por, as autoritetet bullgare e as ato maqedonase nuk publikojnë identitetin e viktimës së 45-të, që u gjet një ditë pas forenzikës së bërë.
Pas kësaj analize tashmë janë duke u bërë përgatitjet shtetërore për transportimin e trupave të pa jetë në vendlindje. Nga Ministria e Punëve të Jashtme, thonë se do të sillen të premten në mëngjes, në Aeroportin e Shkupit dhe të njëjtën ditë do t’u dorëzohen familjeve për ceremonitë mortore.
Ndërkaq, autoritetet e hetuesisë bullgare janë duke bërë kërkime të dëshmive për të zbardhur rastin.
Në ekspertizën e parë për tragjedinë në Bullgari, dje në Sofje autoritet konstatuan se rruga kishte mani, por shkaktar për vdekjen e 45 udhëtarëve ishte zjarri në autobus. Konstatohet gjithashtu vonesa prej 6 muajve për vënien e sinjalistikës së trafikut në autostradën famëkeqe të Strumës. Prokuroria, përveç faktorit njeri po heton edhe shkaqet e lëndëve të dyshimta ndezëse në autobus që mund të kenë shndërruar aksidentin në tragjedi./Alsat M