Të mbijetuarit e aksidentit të rëndë në Bullgari, ku humbën jetën 45 persona, janë në prag të daljes nga spitali.
Nga spitali “Pirogov” në Sofje kanë folur për gjendjen e të mbijetuarve. Siç njofton “Novinite” aktualisht në Klinikën e Djegieve dhe Kirurgjisë Plastike janë 4 pacientë. Në Klinikën e Neurokirurgjisë është një pacient me frakturë të dy vertebrave, i cili i është nënshtruar operacionit në fillim të javës. Operacioni i shtyllës kurrizore ka kaluar me sukses dhe procesi i rikuperimit po shkon pa komplikime. I njëjti pacient i është nënshtruar edhe një operimi në pjesën e poshtme të këmbës.
Dy të mbijetuar të aksidentit në autostradën “Struma” janë liruar të shtunën dhe kanë udhëtuar për në Maqedoni të Veriut.
Në fillim të javës së ardhshme, pas një vlerësimi të gjendjes së pacientëve, do të bëhet lirimi gradual edhe i të mbijetuarve tjerë.
Në aksidentin e të martës në Bullgari humbën jetën 45 persona, që po udhëtonin me autobusin e linjës Stamboll – Shkup. Shumica e tyre ishin shqiptarë nga Maqedonia e Veriut. Nga aksidenti mbijetuan shtatë persona.